Meta i uron shërim të shpejtë Veliajt: Duhet një strategji më efikase për përballimin e pandemisë
Presidenti Ilir Meta reagoi pas lajmit se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është infektuar me COVID-19. Meta i uroi shërim të shpejtë Veliajt në “Facebook”. Duke përfituar nga rasti, ai apeloi që qytetarët të tregohen më të kujdesshëm në respektimin e masave.
“Duke i uruar shërim sa më të shpejtë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z.Erion Veliaj dhe shëndet të plotë familjes së tij, apeloj me forcë rëndësinë jetike të respektimit të protokolleve shëndetësore, si dhe rritjes së efikasitetit të masave mbrojtëse përmes ndërgjegjësimit, transparencës dhe gjithëpërfshirjes, për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pandemisë COVID-19.”
Kryetari i shtetit kërkoi edhe një strategji më efikase nga autoritetet përgjegjëse. Sipas tij, ky hap duhet ndërmarrë për të përballuar me sukses pandeminë. Ilir Meta shtoi se një mbrojtje e veçantë duhet të garantohet edhe për stafet mjekësore.
“Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur, fatkeqësisht edhe të numrit të viktimave, shtrojnë si domosdoshmëri një strategji më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të zbatojnë udhëzimet e bëra publike për mbajtjen e maskave dhe respektimin e distancave fizike, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik. Gjithashtu, është tepër e nevojshme garantimi i masave mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar, deri edhe me jetën e tyre, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari.”
Erion Veliaj njoftoi këtë të martë se është i sëmurë me COVID-19 dhe se për ditët në vijim do të punojë nga shtëpia.




