Presidenca u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të tregojnë më shumë respekt dhe nderim për flamurin kombëtar.

 

Në një reagim për mediat, zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi duke u ndalur tek episoded e ndodhura në Shkodër të enjten, si dhe hedhjen përtokë të flamujëve kombëtarë pas përfundimit të mitingut të PS, I ka bërë apel organizatorëve të mitingut që të distancohen nga këto akte.

 

Duke e cilësuar si një turp, zëdhënësi presidentit thekson se flamuri kombëtar u takon të gjithë shqiptarëve dhe duhet të respektohet me një ndjenjë të lartë atdhedashurie.

 

“Shprehim keqardhjen e thellë për aktet e papranueshme që kanë ndodhur dje me Flamurin Kombëtar, të përdhosur në mënyrë të turpshme në rrugët e Shkodrës në përfundim të një takimi në këtë qytet, dhe që janë bërë sot publike nga mediat e pavarura.

Flamuri Kombëtar u takon të gjithë shqiptarëve dhe kushdo që merr përsipër ta përdorë duhet ta respektojë atë me një ndjenjë të lartë atdhedashurie, përgjegjshmërie dhe me dinjitetin e duhur siç e meriton, jo vetëm gjatë një takimi, por në çdo moment.

U bëjmë thirrje organizatorëve të këtyre takimeve të tregojnë më shumë respekt për Flamurin Kombëtar, simbolin përbashkues të shqiptarëve kudo në botë, si dhe të distancohen publikisht nga këto akte të papranueshme dhe provokuese për çdo shqiptar!

U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike pa dallim, që kur përdorin Flamurin Kombëtar të tregojnë respekt dhe nderim jo vetëm para mediave, por kurdoherë!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *