Meta: Do të ndëshkojmë këdo që prek një votë

Presidenti Ilir Meta përsëriti edhe një herë paralajmërimin e tij për ndëshkimin e tyre që tentojnë të blejnë votën e qytetarëve.
Në një konferencë me gazetarët, Meta u kërkoi shqiptarëve të votojnë të lirë dhe të pandikuar nga askush.
Sipas tij, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kushti kryesor për çeljen e negociatave.
“Qytetarët shqiuptarë të nisen drejt kutive të votimit dhe me qetësi të vendosin se kë do të zgjedhin dhe se kë do të ndëshkojnë. Për mua është e rëndësishme që procesi të jetë tërësisht transparent, me integritet, vota e çdo qytetari të jetë e barabartë, askush të mos intimidohet. Do të informojmë më tej opinionin publik për të gjitha figurat që përfshihen në krimin zgjedhor. Do të bëjmë çdo gjë për të patur zgjedhje plotësisht demokratike e të ndershme. Do të bëjmë çdo gjë për të ndëshkuar në mënyrën më të merituar për këdo që do të përpiqet jo vetëm të prekë një votë, por edhe të largojë Shqipërinë nga Evropa e bashkuar. Zgjedhjet janë kryekushti. Të gjithë qytetarët, në mënyrën më të qetë, më civile, më evropiane, të mos ndikohen nga asnjë lloj presioni. Shqipëria të jetë një vend i besueshëm për t’u anëtarësuar në BE dhe të arrijë vendet e tjera që kanë qenë pas nesh dhe na kanë parakaluar.”




