Subscribe

Ndonëse i gjithë vendi është i alarmuar prej koronavirusit, presidenti Ilir Meta dhuroi gjak këtë të enjte. Ai bëri thirrje që të mos krijohet panik dhe të vijohet dhurimi i gjakut për fëmijët talasemikë sepse nuk përbën rrezik.

 

“Të mos biem pre e panikut, aq më tepër që ky është një proces mjaft i garantuar dhe tërësisht i shëndetshëm. Duhet ta vijojmë këtë aksion, sidomos për sa u takon të gjithë vullnetarëve të dhurimit të gjakut, të cilët janë të qëndrueshëm, aq më tepër në këto ditë kur nevoja është më e lartë dhe besoj se edhe solidariteti duhet të jetë më i fortë.”

 

Meta sqaroi se ai vetë ka bërë një test të dyfishtë dhe është siguruar para se të dhuronte gjak.

 

“Të jeni të sigurtë se vij këtu pasi kam bërë një test të dyfishtë. Nuk kam kontaktuar askënd. Kam bërë gjithçka për të ruajtur distancat e domosdoshme. Ju kam tërhequr edhe ju vëmendjen që të mos rrini kaq pranë njëri-tjetrit, dhe ju përgëzoj që përdorni maskat!”

 

I pyetur për task-forcën e ngritur nga Presidenca për koronavirusin, kreu i shtetit shtoi se kjo nuk zëvendëson task-forcën e qeverisë.

 

 “Task Force” në Presidencë nuk zëvendëson apo dublon “Task Force”-n e qeverisë. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Kjo është në funksion të Presidentit për shkak të atyre detyrave që ka Kreu i Shtetit për arsye të një situate, që kërkon monitorim të vazhdueshëm. Duhet të përqendrohemi që të gjithë te mesazhet e autoriteteve të shëndetit publik, te udhëzimet që jepen nga autoritetet shtetërore dhe qeveritare. Të gjithë ta kenë parasysh t’i referohen numrin 127, por ndoshta duhet parë mundësia edhe për ndonjë numër tjetër për të përballuar fluksin, kërkesat apo sqarimet, që kanë qytetarët.”

 

Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama tha se është i panevojshëm krijimi i task-forcave presidenciale dhe opozitare, por duhet të bashkohen të gjitha fuqitë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *