Subscribe

Presidenti Ilir Meta dhe kryedemokrati Lulzim Basha kanë shpërndarë një mesazh ngushëllim për ndarjen nga jeta të këngëtares së shquar shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

 

Lideri i PD-së shkruan se artisja ishte frymëzim dhe gëzim për shumë shqiptarë.

 

“Me trishtim mësova ndarjen nga jeta të bilbilit të këngës shqiptare znj. Nexhmije Pagarusha. Zëri i saj unik më ka shoqëruar që fëmijë, sepse Pagarusha është këngëtarja e preferuar e nënës time, ishte frymëzim dhe gëzim për të, ashtu si për shumë shqiptarë të tjerë në momente të lumtura dhe të vështira. Prehu në paqe Zambaku i Shqiptarisë! Magjia, forca dhe ëmbëlsia e zërit tënd nuk do të shuhen kurrë”, shkruan Basha.

 

Një humbje të pazëvendësueshme, e konsideron kreu i shtetit ndarjen nga jeta të këngëtarës në moshën 86-vjeçare. Meta ndan me publikun edhe momentin e takimit me Nexhmije Pagarushën, ndërsa e quan veten fatlum që arriti të ndante me të shumë moment të bukura dhe të paharrueshme.

 

“Me shumë dhimbje e hidhërim të thellë mora lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të Mbretëreshës së këngës shqiptare, artistes sonë të madhe e të papërsëritshme, Nexhmije Pagarusha.
E dashur dhe e admiruar nga të gjitha brezat për vokalin e jashtëzakonshëm, emocionet dhe krenarinë që i dhuroi kombit në dekada, kjo humbje e pazëvendësueshme i ka prekur sot të gjithë shqiptarët dhe admiruesit e saj kudo.
Si artiste që bëri histori në momente të vështira, falë talentit artistik, personalitetit fisnik e të spikatur, Nexhmije Pagarusha, do jetë përherë një model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare, këngët e së cilës do të këndohen përjetë.
Unë isha fatlum ta njihja nga afër dhe të ndaja me të shumë momente të bukura dhe të paharrueshme. Ajo nuk ishte magjike, vetëm në skenë dhe ekran, por në çdo moment të jetës së saj.
Duke ndarë dhimbjen e thellë për këtë humbje të madhe, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë artdashësve shqiptarë.
Si një nga përfaqësueset më të mëdhaja të artit e muzikës, e nderuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, me trashëgiminë e vyer që la pas, Nexhmije Pagarusha do të mbetet e paharruar për të gjithë ne”, thuhet në mesazhin e Metës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *