Subscribe

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e ka konsideruar thirrjen e tij nga SPAK si një goditje politike. Meta deklaroi pas dy orësh dëshmi në SPAK se nuk ekziston asnjë provë që e implikon atë në dosjen “CEZ-DIA”.

 

Meta shtoi se u thirr nga institucioni më i lartë i drejtësisë në vend, si një person që ka dijeni mbi rrethanat e kësaj çështjeje.

 

“Në çdo rast tjetër nuk ekziston asnjë akt, shkresë, dokument, urdhër për ligje dhe akte nënligjore, nga Ilir Meta në detyrat e tij si zv.kryeministër as ministër i ekonomisë, përfshirë këtu edhe DIA edh CEZ. Isha si një person që ka dijeni për rrethana të caktuara. U pyeta për detaje të ndryshme të cilat nuk kanë asnjë rëndësi.”, tha ai.

 

I pyetur nëse është i gatshëm të përballet me drejtësinë, ai tha se nuk habitet nga keqpërdorimi i asnjë institucioni. Ai akuzoi kallëzuesin e tij në SPAK mbi këtë çështje se po përdoret nga qeveria për propagandë.

 

“Është rihapur në dhjetor 2019 me një kallëzues i cili është dënuar një dy herë për shpifje, një person që ka qenë punonjës i DIA-s, tani është i OSHHE dhe përdoret nga regjimi për shpifje, një person që ka dhënë në gjykatë një dëshmi ku asgjëkundi s’ka përmend emri im dhe me pas për arsye të problemeve që ka patur është përdorur për këtë çështje. Përgjigja ime është përsëri ajo që kam thënë para që po them përsëri dhe do ta theksoj, nuk ekziston asnjë akt, shkresë dokumentim, asnjë urdhër asnjë iniciativë për ligje, akte nënligjore, nga meta si ministër i ekonomisë në interes të askujt, përfshirë këtu edhe DIA-n, edhe CEZ-in. Ministria e Ekonomisë e ka denoncuar vendimin e ERE që favorizonte CEZ në dhjetor të vitit 2012 për çmimin e blerjet të energjisë. Isha si person që ka dijeni për rrethana të caktuara. U pyeta për detaje të ndryshme që s’kanë asnjë rëndësi,” tha ai.

 

Sipas tij, kryeministri Rama po përdor këtë çështje për të zhvendosur vëmëndjen nga aferat korruptive të qeverisë.

 

Pas komenteve publike të kreut të Partisë së Lirisë, Romeo Kara reagoi, duke thënë se Meta kishte gjithë kohën në dispozicion për ta paditur për kallëzim të rremë, por besoi se nuk do t’i vinte dita që do të përballej me të vërtetën.

 

Në vitin 2009 Operatori i Sistemit të Shpërndarjes shiti 75% të aksioneve tek CEZ DIA. Në atë kohë enti rregullator uli çmimin e energjisë për CEZ, në një kohë kur  qytetarëve u shitej më shtrenjtë.

 

Për çështjen CEZ – DIA është dënuar me 11 vjet burg  Kastriot Ismailaj, pronari i kompanisë që merrej me mbledhjen e detyrimeve. Ndërsa në shtator të këtij viti ai u lirua, i favorizuar edhe nga gjykimi i shkurtuar.

 

Në vitin 2015 padia u bë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë nën drejtimin e  Damian Gjiknurit, i cili kallëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme Ridvan Boden, ish-ministër i Financave, Florion Mimën, ish-ministër i Ekonomisë, Genc Rulin, ish-ministër i Ekonomisë etj dhe ish drejtorët e Berishës, për shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe shkelje, duke favorizuar CEZ me çmimin e energjisë elektrike, faljen e detyrimeve dhe njohjen e borxhit të keq. Por Prokuroria e Përgjithshme e mbylli dosjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *