Presidenti Ilir Meta ka dekretuar këtë të hënë 4 ligje, mes tyre është edhe falja e gjobave. Të gjitha gjobat e vendosura për shkak të situatës së pandemisë do të falen, ndërsa ata që kanë shlyer detyrimet do të kthehen pas.

Behet fjale per ligjin nr. 51/2020 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit, nr. 16, datë 17.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për faljen e masave administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19””.

Përmes këtij akti të gjitha masat ndëshkuese administrative të vendosura deri në datën 17 prill 2020 për shkeljen e rregullave në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin e pandemisë Covid-19, dhe pasojat e krijuara prej këtyre masave falen, ndërsa detyrimet e paguara për masat administrative gjobë, u kthehen qytetarëve.

Ndërkohë, ka dekretuar edhe ligjin për marrëveshjen e bashkëpunimit financiar ushtarak mes Shqipërisë dhe Turqisë; ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së përbashkët të prokurimit ndërmjet Shqipërisë, Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për të prokuruar kundërmasat mjekësore:

“Ligjin nr. 45/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe të protokollit zbatues në lidhje me asistencën financiare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”.

Kjo marrëveshje reflekton vullnetin e Republikës së Turqisë për mbështetjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me Republikën e Shqipërisë, përmes një kontributi të drejtpërdrejtë për Forcat e Armatosura të vendit tonë.

Ligjin nr. 59/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për politikën për zhvillim për aksesin e barabartë gjinor në mundësitë ekonomike”. Mbështetja e disa sektorëve për përmirësimin e politikave gjinore, do të jetë pa diskutim një ndihmesë e çmuar në fuqizimin e rolit të gruas në ekonominë shqiptare.

Ligjin nr. 60/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes së përbashkët të prokurimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për të prokuruar kundërmasat mjekësore”, mundëson finalizimin e procedurave për bërjen të zbatueshme të marrëveshjes që reflekton angazhim të përbashkët për blerjen e kundërmasave mjekësore ndaj kërcënimeve serioze ndërkufitare për shëndetin. Qasja e përbashkët në negocimin e kontratave të kësaj natyre, do të ketë reflektim direkt në përgjegjësinë, disponueshmërinë dhe çmimin e produkteve mjekësore të prokuruara sipas termave të negocimit të kësaj marrëveshjeje.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *