E diel, 27 Shtator 2026 Film TV deri në 07:00 Në vijim ora 07:00: Lajme Ora 7:00 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Meta dekoron ish-ambasadorin Arvizu “Për Merita të Veçanta Civile”

Në një ceremoni solemne, Presidenti Meta vlerësoi këtë të martë ish-ambasadorin e SHBA në Tiranë, Alexander A. Arvizu me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”.

 

Kreu i Shtetit shqiptar i akordoi ish-ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Titullin e lartë me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë diplomatike dhe kontributit të tij të çmuar në përparimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dypalëshe gjatë mandatit të tij si Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe në vijim si dhe për mbështetjen e pakursyer të procesit të integrimit euro-atlantik të vendit”.

 

Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm personalitete të ndryshme të trupit diplomatik të akredituar në Shqipërisë, ish-Presidentë, ministra e deputetë, politikanë, intelektualë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

 

Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, Meta vlerësoi të gjitha përpjekejet e ambasadorit Arvizu, duke theksuar këtu atë për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.

 

“Gjatë veprimtarisë së tij diplomatike si Ambasador në Shqipëri ai dha një kontribut të madh në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një moment i veçantë ishte vizita e Sekretares të Shtetit, Hillari Klinton dhe fjala e saj në Parlamentin Shqiptar për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Po kështu Ambasador Arvizu ka një meritë të veçantë për mbështetjen e pakursyer të procesit të integrimit euro-atlantik të vendit si dhe për ndihmën efikase në përparimin e reformave kyçe, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, por edhe reformën në drejtësi. Për reformën në drejtësi, që ka qenë kryefjala e viteve të fundit, do të theksoja në veçanti angazhimin e Tij jo shumë të dukshëm, por mjaft aktiv në detyrën e Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit për çështjet e drejtësisë dhe të luftës kundër drogës.”

 

Ndërsa ish-ambasadori i SHBA, Alexander A. Arvizu shprehu mirënjohjen  dhe kënaqësinë e Tij për vlerësimin nga ana e Presidentit Meta si edhe siguroi se do të vazhdojë të promovojë vlerat më të mira të Shqipërisë.

Vazhdo të lexosh