Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti në një takim Kryetarin e Komisionit të Politikave të BE në Senatin e Republikës së Italisë, Vannino Chiti.

 

Senatori Chiti shoqërohej në këtë takim nga një delegacion i Komisionit të Politikave të Bashkimit Europian në Senatin e Italisë që përbëhej nga Senatori Roberto Cociancich dhe Senatori Pietro Liuzzi. I pranishëm ishte edhe Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo.

 

Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit, Meta, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, si edhe theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Senatit të Italisë.

 

Kryetari Meta falënderoi Senatorit Chiti edhe për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i jep Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

 

Nga ana tjetër, Vannino Chiti konfirmoi vullnetin e Senatit Italian për të intensifikuar bashkëpunimi me Kuvendin e Shqipërisë edhe në të ardhmen. Senatori Chiti shprehu edhe një herë mbështetjen e Senatit Italian për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

 

Pas takimit, Meta u shpreh se, “Ishte kënaqësi e veçantë për t’u takuar sot në mbrëmje me delegacion të nderuar të Senatit Italian, kryesuar nga Senatori i njohur, z. Vannino Chiti, i cili është edhe kryetari i Komisionit të Politikave të BE. Me këtë rast kemi theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme të forcimit të bashkëpunimit midis Kuvendit tonë dhe midis Senatit në të ardhmen, sidomos për çështje që kanë të bëjnë me integrimin evropian. Kemi marrë sigurinë e Senatorit Chiti dhe të gjithë delegacionit për të vendosur një raport më të ngushtë me Kuvendin e Shqipërisë dhe me komisionin përkatës, në mënyrë që Italia të vazhdojë të shtojë rolin e saj në mbështetje të integrimit evropian të Shqipërisë, si gjithmonë”.

 

Ndërsa Kryetari i Komisionit të Politikave të BE në Senatin Italian, Vannino Chiti pasi falënderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Meta, për këtë takim, për ngrohtësinë dhe për mirësjelljen në këtë takim u shpreh se, “jemi shumë të kënaqur që kemi shprehur vullnetin për t’i edhe dhënë më shumë intensitet këtij bashkëpunimi ndërmjet Komisionit të Politikave BE në Senatit Italian dhe Komisionit për Integrimin Evropian të Kuvendit të Shqipërisë. Të japësh një kontribut më të fortë si parlamente, sepse nuk është mjaftueshëm bashkëpunimi ndërmjet qeverive, por duhet edhe bashkëpunimi ndërveprimi dhe ndërhyrja e parlamenteve në këtë rrugë.

 

“Ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë dihet që ka marrëdhënie të konsoliduara historikisht miqësie, janë në të tashmen, dhe duam t’i forcojmë për në dobi të së ardhmes. Ne mbështesim integrimin evropian të Shqipërisë dhe të gjithë vendeve të Ballkanit në brendësi të Bashkimit Evropian dhe besojmë që të vazhdojmë ta mbështesim këtë bashkëpunim do të jetë edhe më e lehtë edhe rruga drejt së ardhmes””, tha Kryetari i Komisionit të Politikave të BE në Senatin Italian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *