Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA) organizoi Ministerialin e Mirëqeverisjes në Ballkanin Perëndimor, konferencë e cila ka në fokus përqasjen strategjike të Reformës në Administratën Publike (PAR), qëndrueshmërinë financiare, cilësinë e planifikimit dhe koordinimit të politikave, si dhe monitorimin dhe raportimin në lidhje me zbatimin e strategjive të PAR dhe asistencës financiare të BE-së për mbështetjen e reformave.

 

Konferenca mblodhi së bashku ministrat përgjegjës për administratën publike dhe financën, koordinatorët kombëtarë të Fondeve IPA nga Ballkani Perëndimor, zyrtarë të administratave shtetërore që merren direkt me PAR-in, menaxhimin e financave publike dhe integrimin evropian, si dhe përfaqësues të lartë nga Komisioni Evropian (KE), OECD/SIGMA, organizata ndërkombëtare dhe partnerë të ndryshëm.

 

Në cilësinë e udhëheqësit të Reformës në Administratën Publike për vendin tonë, e pranishme në këtë ministerial ishte ZëvendësKryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi e cila nw referimin e saj nw lidhje me Reformen ne Administratwn Publike e konsideroi si njw prioriteteve kyçe të qeverisë shqiptare për rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian (BE), nënvizoi faktin se kjo reformë e ndërmarrë përbën një angazhim të fortë ndaj qytetarëve, komunitetit të biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë gjithashtu.

 

“Besoj fuqishëm se një administratë publike e depolitizuar që ka në bazë dhe nëthelb meritokracinë, do jetë e ardhmja dhe suksesi për vendin tonë”.

 

 

ZëvendësKryeministrja Mesi u ndal gjithashtu tek prioritizimi i reformave dhe zbatimi i planit ambicioz të qeverisë shqiptare në lidhje me reformën në shërbimet publike, procesi i derregullimit dhe ristrukturimi i agjencive dhe institucioneve të varësisë, si rezultat i të cilave është bërë goxha progres në drejtim të luftës ndaj korrupsionit dhe rritjes së efiçiencës në administratën publike.

 

 

“Nëpërmjet proceseve integruese dhe të digjitalizimit, kemi rimodeluar mënyrat e ofrimit të shërbimeve publike. ADISA aktualisht ofron 535 shërbime të standardizuara dhe të integruara tek më tepër se 800 mijë qytetarë dhe planifikojmë ta zgjerojmë atë në ta gjithë vendin. Ndërsa nëpërmjet portalit qeveritar e-albania ofrohen aktualisht 551 shërbime elektronike dhe 774 shërbime informuese”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *