Subscribe

Prokuroria e Krimeve të Rënda merr në pyetje Fredi Alizotin, personin që ka pranuar se ka imituar zërin e Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të brendshëm.

 

Fillimisht u vendos që pyetja e Alizotit nga dy prokurorët e çështjes Gentjan Osmani dhe Përparim Kulluri të bëhej vetëm për video përgjimin e publikuar nga deputeti demokrat Ervin Salianji. Por burime pranë organit të akuzës sqaruan se Alizoti do të pyetet për të gjitha provat e mbledhura deri më tani për dosjen “Babale”.

 

Në videopërgjimin e fundit, Alizoti  shfaqet duke folur për mënyrën se ai përfundoi te krimet e rënda për të dëshmuar për çështjen e babales. Alizoti pretendon gjatë bisedës se ai u mor në shtëpi nga vetë drejtori i përgjithshëm i policisë dhe më pas në Tiranë u takua me kreun e grupit të PS Taulant Ballën dhe dy persona të tjerë.

 

Sipas Alizotit, ata tentuan ta manipulonin për të dhënë dëshmi në favor të tyre.

 

Në një prononcim për mediat, avokati i tij mbrojtës, Ilir Doda tha se e vërteta e Fredi Alizotit do të dalë shumë shpejt, pasi është ende çështje nën hetim.

 

Fredi Alizoti do të dëshmojë për rrethanat në të cilat është kryer ky videopërgjim: përkatësisht vendi, ora dhe personat që ndodheshin me të në lokal.

 

Por hetimet e prokurorisë do të përfshijnë edhe deputetin e PD Salianji, i cili është thirrur për të dëshmuar për këtë çështje te premten.

 

Një ditë më parë, Taulant Balla dhe kreu i policisë Ardi Veliu mohuan të kenë patur kontakte me Fredi Alizotin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *