Më në fund “tymi i bardhë” në Kosovë, Dimal Basha zgjidhet kryeparlamentar, PDK i jep votat Vetëvendosjes
Rreth 7 muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë arritur të zgjedhin kryetarin, duke i dhënë fund ngërçit politik në vend e duke i hapur rrugën formimit të qeverisë së re.
Me 73 vota pro, 30 kundër dhe tre abstenime, deputetët zgjodhën për kryetar të Kuvendit Dimal Bashën.
Dimal Basha është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje për tre mandate radhazi.
Zgjedhja e Dimal Bashës u bë e mundur falë votave të Partisë Demokratike të Kosovës, të bashkuara me votat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe aleatëve të saj.
Më herët, në nisje të seancës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kishte thënë se nëse ky do të ishte kandidati më i mirë i LVV-së, do ta votonte, pavarësisht se nuk e besonte një gjë të tillë.
Kjo ishte hera e katërt që deputetët u mblodhën që nga publikimi i plotë i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili i urdhëroi deputetët të zyrtarizojnë Kuvendin e ri brenda 30 ditësh.
Në tre seancat e kaluara, LVV kishte propozuar pesë emra të ndryshëm për kryetar të Parlamentit, por asnjëri prej tyre nuk arriti të marrë të paktën 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.
/vizionplus.tv





