Merkel: Situata në Ballkan e brishtë

Kancelaria gjermane Angela Merkel, është shprehur se paqja në Ballkanin Perëndimor është shumë e brishtë. Gjatë fjalës së saj në konventën Kombëtare të Katolikëve që u mbajt në Mynster të Gjermanisë, ajo përcolli përshtypje nga takimet e fundit me liderët e Ballkanit Perëndimor.
“Tani, pas fundit të Luftës së Ftohtë ne kujtuam se koha e konflikteve të mëdha politike kishte kaluar. Por shumë shpejt mësuam se kjo nuk qëndron. Ende sot Ballkani Perëndimor është një nga detyrat tona në politikën e jashtme për të siguruar rendin e paqes atje. Ballkani Perëndimor është ende shumë i brishtë”.
Megjithatë Merkel tha se integrimi i rajonit mbetet një nga detyrat e Gjermanisë në politikën e jashtme.
“Edhe po ta hedhësh vështrimin te Kosova, te Serbia, te Bosnja dhe Hercegovina, këto vende vazhdojnë të përballen me konfliktet kufitare. Edhe po të shohësh mosmarrëveshjen për emrin në Maqedoni, konflikte kufitare këtu dhe atje, madje edhe Sllovenia dhe Kroacia vazhdojnë të flasin ende për kufijtë e tyre.”
Kancelaria Merkel u shpreh e vendosur se Gjermania e shtetet perëndimore duhet të punojë për të zgjidhur konfliktet, pasi tensionet mund të rindizen në çdo kohë.



