Një nga favoritët e presidencialeve franceze, kandidati i qendrës Emmanuel Macron do të pritet të enjten në Berlin nga kancelarja Angela Merkel, e cila takoi në muajin janar kandidatin e së djathtës, François Fillon.

 

”Takimi jozyrtar dhe konfidencial do të zhvillohet në kancelari”, bëri të ditur zëdhënësja e qeverisë gjermane, Ulrike Demmer duke siguruar se nuk bëhej fjalë për t’i ofruar mbështetje themeluesit të lëvizjes ”Në lëvizje!”, por për t’u kujdesur për marrëdhëniet me Francën.

 

Merkel priti në fund të janarit François Fillon të Partisë Republikane, një ditë përpara publikimeve të para nga e përjavshmja “Canard Enchaîné” në lidhje me punësime të dyshuara fiktive të bashkëshortes së tij që kanë tronditur fushatën elektorale.

 

Zëdhënësja e kancelares nuk ka dashur të prononcohet nëse Merkel ishte e gatshme për të takuar kandidatin e Partisë Socialiste, Benoit Hamon, por përjashtoi çdo mundësi takimi me Marine Le Pen, lideren e partisë së ekstremit të djathtë Fronti Kombëtar, e pozicionuar nga sondazhet në krye të raundit të parë të presidencialeve të parashikuara më 23 prill.

 

Raundi i dytë i procesit zgjedhor është parashikuar më 7 maj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *