Merkel: Pandemia zbuloi një Evropë të dobët

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha para deputetëve të Bundestagut se Bashkimi Europian po përballet me sfidën më të madhe në histori.
Merkel theksoi se më shumë se 100 mijë njerëz kanë humbur jetën vetëm në vendet e bllokut, pa llogaritur dëmin e madh që pandemia ka shkaktuar në ekonomi.
ANGELA MERKEL
KANCELARE E GJERMANISE“Kriza me të cilën po përballemi është krejtësisht e ndryshme nga ato që jemi përballur më parë. Kjo krizë na ka prekur të gjithëve, ka gjetur të papërgatitur jo vetëm Europën, por të gjithë botën. Vetëm në Evropë, koronavirusi ka marrë mbi 100.000 jetë, ndërsa ngecja e ekonomisë ka rrezikuar atë që ne jemi përpjekur ta ndërtojmë në dekada. Për të vijuar këtë luftë, kufizimet janë të nevojshme, por akoma më e nevojshme është distancimi fizik dhe mbajtja e maskës, pasi virusi nuk mund të zhduket vetë pa gjetur ende një vaksinë”
Por përballë një krize të tillë në mesin e një periudhe kur Gjermania merr Presidencën e BE, Merkel bëri apel për solidaritet, pasi sipas saj, pandemia zbuloi se sa i brishtë është projekti Europian.
ANGELA MERKEL
KANCELARE E GJERMANISE“BE po përballet me sfidën e saj më të madhe në histori dhe asnjë vend nuk mund t’i mbijetojë nga kriza dhe të luftojë i vetëm. Pandemia zbuloi se sa i brishtë është ende projekti evropian. Kohezioni dhe solidariteti nuk kanë qenë kurrë më të rëndësishme se sot. Ndikimi i pandemisë gjithashtu tregoi se është e nevojshme një përgjegjësi e madhe në rang global. Sot autoritarët po e përdorin krizën në avantazh të tyre. Ata duan të minojnë shtetin e ligjit, duan të dëmtojnë dinjitetin e njerëzve. Ata duan të minojnë të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile të qytetarëve të tyre dhe kjo është diçka për të cilën duhet ta kundërshtojmë, dhe jo vetëm këtu.”
Deklarata e kancelares gjermane vjen një ditë para mbajtjes së samitit të BE-së, i cili po përgatitet për zgjidhjen e buxhetit të bllokut për vitet e ardhshme, si dhe programin e rindërtimit të ekonomisë së bllokut pas pandemisë.




