Angela Merkel, fitimtare por e dobësuar nga një rezultat elektoral zhgënjyes, ka nisur menjëherë punen me misionin e vështirë të formimit te një shumicë të re në një peizazh politik të fragmentuar, nën ndikimin e përparimit historik të së djathtës nacionaliste. Që në orën 9:00, kryesia e partisë konservatore CDU u mblodh për të diskutuar rreth rezultatit zhgënjyes të zgjedhjeve parlamentare ku fitoi vetëm 33.2 për qind të votave, rezultati më i keq i shënuar që nga viti 1949.

 

Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara mëngjesin e sotëm, koalicioni kristian demokrat ka fituar 246 Mandate, social demokratet 153, ekstremistet e Alternatives per Gjermaninë 94, liberalet 80, e majta 69, dhe te gjelbrit 67 mandate. Duke folur para mbështetësve të saj në Berlin, Merkel tha se kishte shpresuar për një rezultat më të mirë, por shtoi se partia e saj konservatore, do t’ia dalë të realizojë premtimet e bëra gjatë fushatës.

 

Lideri i socialdemokratëve, kandidat për postin e kancelarit, Martin Schulz, tha ndërkohë në Berlin se kjo ishte një ditë e hidhur për partinë e tij.  Rezultati prej 20 për qindësh, është më i ulëti që pas luftës dhe do t’i çojë socialdemokratët në opozitë. Alternativa për Gjermaninë, AFD, formacion ky i ekstremit të djathtë, nacionalist dhe anti-islam, ka tronditur skenën politike duke dalë i treti dhe duke hyrë për të parën herë në parlament me 13.5 për qind të votave.

 

Vëmendja tani spostohet tek koalicioni që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme. Varianti më serioz mbetet ai i formimit për të parën herë në historinë e Gjermanisë i një koalicioni prej tre partish: CDU/CSU, Liberalet (FDP) dhe aleanca e ekologjistëve, Të Gjelbrit. Ky është një terren i ri politik, ndaj bisedimet pritet të jenë të vështira e të zgjasin shumë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *