Kancelarja gjermane, Angela Merkel, theksoi nevojën për të përshpejtuar luftën kundër ndryshimeve klimatike, pasi numri i viktimave nga përmbytjet shkatërruese në Gjermani arriti të enjten në 177.

 

Merkel tha se Gjermania dhe vendet e tjera “nuk kanë bërë aq sa duhet” për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius – një qëllim ky i vendosur me Marrëveshjen e Parisit për Klimën.

 

“Nuk duhet të pretendojmë se nuk kemi bërë asgjë, por është e vërtetë që nuk është bërë aq sa duhet për të qëndruar nën 2 gradë dhe sa më afër 1.5-shit”, u tha Merkel gazetarëve.

 

“Kjo nuk është e vërtetë vetëm për Gjermaninë, por për shumë vende në të gjithë botën, prandaj duhet të rrisim ritmin”, tha Merkel.

 

Kabineti i saj miratoi të mërkurën një paketë emergjente, në vlerë prej rreth 400 milionë eurosh, për të ndihmuar rajonet e prekura.

 

“E kemi bërë të qartë se kjo shumë do të rritet nëse nuk është e mjaftueshme”, tha Merkel.

 

Dy landet më të goditura nga përmbytjet e javës së kaluar janë: Rajnland Falc dhe Nordrajn Vesthalen.

 

Numri i viktimave rritet ende, pasi ekipet e shpëtimit vazhdojnë të gjejnë trupa që janë zhdukur në përmbytje.

 

Kreu i agjencisë kombëtare të menaxhimit të katastrofave në Gjermani, Armin Schuster, pranoi sot se ka pasur probleme me sistemet paralajmëruese të përmbytjeve./ Rel

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *