Një ditë pas takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ku u vu në dukje aleanca e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë, kancelarja Angela Merkel bëri thirrje për një marrëdhënie më të ngushtë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Përpara një samiti të Bashkimit Evropian në Bruksel, ku do të diskutohen marrëdhëniet mes Unionit dhe Rusisë, kancelarja kërkoi nga vendet anëtare të qëndrojnë së bashku kundër provokimeve nga Moska.

 

ANGELA MERKEL

KANCELARE GJERMANE

“Sipas mendimit tim, ne si Bashkim Evropian duhet gjithashtu të kërkojmë kontakte të drejtpërdrejta me Rusinë, nuk është e mjaftueshme që presidenti amerikan të flasë me presidentin rus. Ngjarjet e muajve të fundit dhe jo vetëm në Gjermani, kanë treguar qartë se nuk mjafton që ne të reagojmë ndaj provokimeve të shumta të Rusisë në një mënyrë të pakoordinuar. Në vend të kësaj, ne duhet të krijojmë mekanizma që të jemi në gjendje t’u përgjigjemi provokimeve së bashku dhe në një mënyrë të unifikuar. Vetëm atëherë do të mësojmë t’u kundërvihemi sulmeve hibride të Rusisë.”

 

Merkel është ndalur edhe tek situata e krijuar nga pandemia, ku sipas saj, vendet anëtare duhet  të jenë të vëmendshme ndaj varianteve të reja të koronavirusit.

 

“Ne duhet të qëndrojmë vigjilentë, në veçanti variante të reja, veçanërisht varianti delta, do të thotë se duhet të jemi të kujdesshëm. Në të kundërt, unë e konsideroj lehtësimin e masave si një vendim të gabuar. Në Evropë mund të jemi optimistë, por duhet të jemi edhe të kujdesshëm.”

 

Liderët e Bashkimit Evropian do të takohen në Bruksel për të zhvilluar një samit dy-ditor, ku do të diskutojnë një strategji të re të raporteve me Rusinë. BE-ja dhe Rusia kanë mosmarrëveshje për shumë çështje, përfshirë Ukrainën dhe Bjellorusinë. Blloku gjithashtu akuzon Moskën për ndërhyrje në zgjedhje, përhapjen e dezinformimit dhe kërcënimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Lindore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *