Takimi franko gjerman këtë të mërkurë në Tuluz të Francës, i dha një perspektivë të re pritshmërive për një vendim pozitiv për hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin. Kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë një konference për shtyp me presidentin francez, Emmanuel Macron, u shpreh optimiste se qëndrimi i Gjermanisë do të unifikohet me atë të Francës por edhe të vendeve të tjera skeptike.

 

“Kemi disa diferenca sa i përket problematikave që janë shfaqur. Ashtu siç e dini, duhet një vendim unanim për çeljen e negociatave. Jam optimiste se në takimin e nesërm do të arrijmë ti unifikojmë qëndrimet jo vetëm me Francën por edhe me vendet e tjera skeptike.”

 

Ndërsa presidenti Emmanuel Macron theksoi edhe njëherë nevojën për reformimin e unionit ndërsa u shpreh qartë se nuk është kundër zgjerimit por duhet ndryshuar metodologjia e këtij procesi për të qënë më transparentë.

 

“Përshëndes kurajën, përkushtimin dhe progresin që kanë treguar Shqipëria dhe Maqedonia e veriut, ata kanë bërë një punë shumë të madhe në vendet e tyre në vitet e fundit. Unë e njoh këtë gjë dhe dua të dërgoj një sinjal pozitiv. Ashtu si kancelarja, mendoj se ky rajon është me një rëndësi strategjike për Europën. Por mendoj se kemi ende gjëra të tjera për të përfunduar, përpara se të hapim negociatat. Mendoj që duhet ta reformojmë këtë procedurë që është aktualisht e pakthyeshme.”

 

Diskutimet e nivelit të lartë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut do të vijojne në takimin e krerëve të shteteve antare në Bruksel.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *