Ish-kryeministri rus, Dmitry Medvedev tha sot se do të vazhdojë të jetë kryetar i partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, parti kjo që së bashku me presidentin rus, Vladimir Putin kanë dominuar skenën politike të vendit për dy dekada.

 

Medvedev dha dorëheqje së bashku me qeverinë e tij, pasi Putin gjatë fjalimit vjetor më 15 janar, bëri thirrje për referendum për disa ndryshime kushtetuese, që sipas tij, do të forconin pushtetin e parlamentit. Agjencitë e lajmeve ruse më pas thanë se presidenti Putin dëshiron që të krijojë pozitën e zëvendëskryetarit të Këshillit të Sigurisë së Rusisë – që formalisht udhëhiqet nga Putini – dhe këtë pozitë t’ia ofrojë Medvedevit.

 

“Nëse flasim për një punë të re specifike, kjo pozitë nuk bie në kundërshtim me përfshirjen time në aktivitet politik, përfshirë aktivitetin në lidhje me udhëheqjen e partisë. Unë mbetem kryetar i partisë Rusia e Bashkuar”, tha Medvedev për Rossiya 1 TV, ka raportuar agjencia Tass. Medvedev ka shërbyer si kryeministër në vitet 2008-2012, ndërmjet mandatit të dytë dhe të tretë presidencial të Putinit. Sipas kritikëve, kjo është bërë, me qëllim që Putini të mos tejkalojë kufizimet kushtetuese për të qenë në krye të vendit.

 

Ligjvënësit në Dumën shtetërore, ku Rusia e Bashkuar ka shumicën, më 16 janar, votuan për kandidatin e Putinit për kryeministër, Mikhail Mishustin. Disa vëzhgues dyshojnë se njoftimi i Putinit për ndryshimet kushtetuese, do të bëjnë që ai të qëndrojë në postin e presidentit edhe pasi t’i kalojë mandati më 2024./REl

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *