Partia Republikane kërkon që të ketë 36 kandidatë për deputetë në listat e përbashkëta me Partinë Demokratike për zgjedhjet e 25 prillit. Kjo kërkesë indirekte u bë publike nga kryerepublikani Fatmir Mediu në një nga takimet e organizuara ku ka paraqitur zyrtarisht të 36 kandidatët për deputetë për zgjedhjet e ardhshme.

 

I ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, kreu i PR-së, deklaroi se është i gatshëm të diskutojë me Partinë Demokratike për figurat përfaqësuese.  Mediu tha se ajo çka kërkon është reciprocitet dhe vlerësim të kritereve.

 

“Ne kemi kërkuar reciprocitet. Vlerësim të kritereve. Pra, në qoftë se flasim në një marrëdhënie multilaterale, por edhe bilaterale, është shumë e rëndësishme mbi ç’bazë kriteresh e ndërton këtë. Në qoftë se do të duam të ndërtojmë një koalicion, do të thotë kontribut i të gjitha palëve, jo thjeshtë individëve. Dhe duke u nisur nga ky tregues, unë mendoj që Partia Republikane ka një histori politike, por ka dhe një shtrirje gjeografike si parti, sepse ka qenë në zgjedhjet lokale, parlamentare dhe ka krijuar një trend, një bazë elektorale të vetën, që e llogarit ndërmjet 40-50 mijë vota. Ky është trendi historik nga ’91-shi deri në vitin 2015, i Partisë Republikane. Ka shkuar edhe 70 edhe 90, por po them si trend, të cilat, po t’i llogarisim në nivel kombëtar, bëjnë 4-5 mandate. Por, është provuar në zgjedhje zonale, siç janë këto me zona elektorale, 12 qarqet, që ka prodhuar 4-5 mandate.

 

Çështja është se votat e tjera duhet të shkojnë patjetër në fuqizim të mandatit, ose sigurim të mandatit të opozitës, për ta optimizuar votën. Dhe duke qenë në këtë fazë, unë mendoj që është e rëndësishme, që vlerësimi i Partisë Republikane në marrëdhënie me Partinë Demokratike, të jetë i tillë, që të vlerësohet sa peshë ka Partia Demokratike, sa kanë aletatët dhe ku është pesha e Partisë Republikane, bazuar në këtë peshë. Bazohet qark pas qarku ku është vendi i Partisë Republikane.

 

Por unë nuk e mbaroj këtu. Duke u nisur nga eksperienca e 2005-ës dhe qëllimi për të fituar, jam i gatshëm të diskutoj me kolegët e mi të Partisë Demokratike se kush duhet të jenë figurat përfaqësuese.

 

Në qoftë se ka një kandidat të Partisë Demokratike, apo i paanshëm, i kolegëve të tjerë, i cili ka vlerë për të rritur autoritetin dhe mundësinë për të fituar opozita, absolutisht le ta marrë ai dhe mbështetjen e logon e Partisë Republikane. Në qoftë se ka një republikan të vlefshëm që i duhet Partisë Demokratike. Dhe në zonat ku Partia Demokratike nuk ka vend për Partinë Republikane le ta marrë ta vendosë PD, sepse mendojmë që këto kontribute do të sjellin një marrëdhënie dhe fuzionim më të mirë, krijimin e një sinergjie.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *