Mediat iraniane kanë dhënë numrin e parë jozyrtar të të vdekurve nga sulmet izraelite.
Nournews raporton se 78 persona u vranë dhe 329 të tjerë u plagosën në kryeqytetin Teheran, shkruan Sky News.
Lexo edhe :
Related Posts
Izraeli sulmoi kryeqytetin e Iranit në mëngjesin e së premtes duke i goditur objektet e tij bërthamore dhe ushtarake, duke rritur mundësinë për një luftë të përgjithshme midis dy vendeve rivale në Lindjen e Mesme. Ky dukej të ishte sulmi më i madh që Irani ka përjetuar që nga lufta me Irakun në vitet ’80.
Sulmi ndodhi në një kohë tensionesh të larta për shkak të përparimeve të shpejta të programit bërthamor të Iranit dhe nxiti kundërpërgjigje të menjëhershme, pasi lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli do të përballej me “dënim të ashpër”.
Pak orë më vonë, ushtria izraelite njoftoi ka filluar të rrëzojë dronët iranianë të nisur nga Teherani si hakmarrje për sulmin.
Një zyrtar izraelit tha se rrëzimi i dronëve po ndodh jashtë territorit izraelit, por nuk dha më shumë hollësi, pasi foli në kushte anonime.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli kreu një operacion ushtarak, synimi i të cilit ishte “frenimi i kërcënimit të Iranit ndaj vetë mbijetesës së Izraelit”.
Ai tha se sulmi “do të vazhdojë derisa të eliminohet ky kërcënim”.
“Ne goditëm në zemër të programit të Iranit për pasurimin bërthamor. Në shënjestër ishin objekti kryesor i pasurimit të uraniumit i Iranit në Natanz… Gjithashtu goditëm në zemër të programit iranian të raketave balistike”, tha ai në një deklaratë me video.
Izraeli gjithashtu sulmoi shkencëtarë bërthamorë iranianë “që punonin për zhvillimin e bombës iraniane”, shtoi ai.
Një zyrtar izraelit tha se Izraeli goditi dhjetëra objekte në të gjithë Iranin, duke e rritur mundësinë e një lufte të përgjithshme mes dy vendeve.
Ndër vendet e goditura ishte dhe selia komanduese e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim.
Objekti i pasurimit në Natanz u godit “disa herë”, raportoi televizioni shtetëror, duke treguar pamje me tym të dendur që ngrihej nga vendi.
Zona të banuara në Teheran dhe në disa qytete të tjera u goditën gjithashtu, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA, e cila raportoi se sulmet shkaktuan vdekjen e disa njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë, në një kompleks banimi në Teheran.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli do të përballet me pasoja të rënda për shkak të këtyre sulmeve./vizionplus.tv