Franca dhe Gjermania kanë thënë se nuk do ta njohin pavarësinë e Katalonjës, nëse qeveria rajonale vazhdon me planin për shpalljen e njëanshme të saj. Ministrja franceze e Çështjeve Europiane, Nathalie Loiseau rikujtoi gjithashtu paralajmërimin e Komisionit Europian, se Katalonja e pavarur do të ishte jashtë BE-së.
Nga ana tjetër, kancelaria Merkel gjatë bisedës së saj telefonike me kryeministrin Mariano Rajoy, rikonfirmoi mbështetjen për unitetin e Spanjës dhe diskutuan për mënyrat se si mund të përforcojnë dialogun e brendshëm në Spanjë në kuadër të kushtetutës.
Mediat spanjolle shkruajnë se sapo të hapet seanca e kuvendit katalanas të martën, çdo gjë është e mundshme, duke përfshirë një deklaratë të njëanshme të pavarësisë.
Gjatë një interviste për televizionin Spanjoll, Piuxhmont tha se i ka hapur derën qeverisë spanjolle për ndërmjetësim, por nëse ajo nuk përgjigjet pozitivisht, atëherë ai do të deklarojë shpalljen e pavarësisë.
Madridi vazhdon ta kundërshtojë ashpër votimin duke këmbëngulur se është i jashtëligjshëm, e për pasojë, rezultati është i pavlefshëm. Kjo ndarje e ka zhytur Spanjën në krizën më serioze politike në katër dekada.
Kryeministri Mariano Rahoj u zotua se do të përdorë çdo mjet brenda ligjit për të ndaluar çdo deklaratë kuptimplote të pavarësisë, duke përfshirë një klauzolë të papërdorur në Kushtetutën spanjolle për të pezulluar autonominë e Katalonjës.
Ndërkohe të paktën 350 mijë persona morën pjesë në tubimin gjigant në Barcelonë duke valëvitur flamuj spanjollë, katalanas e të Bashkimit Europian, dhe duke bërë thirrje për unitet. Demonstratat vënë në tryezë më shumë presion mbi një deklaratë të mundshme të pavarësisë.
Por, presidenti katalanas pritet t’i drejtohet I vendosur parlamentit rajonal të martën per hapat e mëtejshëm të shpalljes së pavarësisë.





