Më shumë se 160 të vdekur në juglindje të SHBA-së nga uragani “Helene”

Më shumë se 160 persona kanë humbur jetën si pasojë e uraganit “Helene”, një nga stuhitë më vdekjeprurëse që ka goditur SHBA në kohët e fundit.
Qindra të tjerë janë ende të zhdukur pasi “Helene” goditi shtetet juglindore, duke shkaktuar përmbytje, duke shkatërruar komunitete dhe duke ndërprerë energjinë elektrike, raporton BBC.
Përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë dhe dërgesat e ndihmave janë bërë me avionë dhe mushka. Qeveria e SHBA-së ka thënë se përpjekja për pastrim mund të zgjasë me vite.
Presidenti Joe Biden do të vizitojë Karolinën e Veriut, e cila është një ndër vendet më të prekura, ndërsa zëvendëspresidentja Kamala Harris do të në Georgian fqinje.
“Helene” goditi SHBA-në të enjten dhe stuhia zgjati relativisht gjatë. Toka e ngopur nga reshjet e mëparshme ishte gjithashtu një faktor rëndues.
Sipas CBS News, 162 persona kanë humbur jetën në gjashtë shtete, Karolina e Veriut, Karolina e Jugut, Xhorxhia, Florida, Tenesi dhe Virxhinia.
Numri tejkalon atë të uraganit Ian, i cili në shtator 2022 u bë një tjetër nga stuhitë më vdekjeprurëse të shekullit të 21-të – duke marrë të paktën 156 jetë.
Sipas CBS, pothuajse gjysma e vdekjeve të shkaktuara nga “Helene” kanë qenë vetëm në Karolinën e Veriut.
Të hënën, Biden iu referua raporteve se deri në 600 persona ishin të pagjetur.
“Shpresoj që ata të jenë gjallë”, tha ai.
“Por nuk ka asnjë mënyrë për të kontaktuar me ta për shkak të mungesës së mbulimit të telefonit celular.”
Më shumë se një milion njerëz në disa nga shtetet e prekura mbetën gjithashtu pa energji të mërkurën në mëngjes.
Sezoni i uraganeve në Atlantik vazhdon deri në fund të nëntorit./vizionplus.tv




