Referuar shifrave zyrtare, vajzat mbizotërojnë me 80,4 % diplomimet në Shkenca arsimi, por kjo fushë vijon të mbetet në fund të listës së preferencave nga të rinjtë.
Akademikët vërejnë se krahas përshtatshmërisë me tregun e punës, degët e mësuesisë duhet të marrin vëmendje të veçantë.
“Të rinjtë sot kanë shumë mundësi zgjedhjeje. Ka profesione që ikin, ka profesione të reja por ata janë fleksibël në tregun e punës. Mendoj që një shoqëri do të duhet patjetër të investojë në formimin e mësuesve. Ka patur nisma stimuluese dhe maturantët vijnë me një prag mesatareje por kur dalin në treg, rezultatet variojnë. Duhet vendosur theksi tek cilësia”, thotë Esmeralda Krodhima, dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Esmeralda Kromidha gjithashtu nënvizon rëndësinë që në shkolla të ndërveprojnë këshilltarë të mirëfilltë pedagogjikë,
“Referuar përvojave që kemi nga universitetet e huaja, duhet të fillojë që në shkollën e mesme dhe të ketë këshilltarë pedagogjikë, të mos iu lihet plotësisht në dorë fëmijëve apo prindërve. Përpara se të jenë maturantë të mendojnë për profesionin e së ardhmes”, shprehet ajo.
Maturantët që janë në prag të zgjedhjes së programeve të studimit, do të kenë edhe një alternativë risi, një program të posaçëm për përgatitjen e interpretëve në gjuhën e shenjave.
“U inaugurua para pak ditësh laboratori i gjuhës së shenjave. Ky program është në fazat e miratimit. Do tu jepet mundësi të rinjve që të studiojnë interpretimin në gjuhën e shenjave dhe të punojnë në institucione të ndryshme, mjekësore, shkolla, ligjvënëse, kudo ku është e nevojshme”, thotë Krodhima.
Aktualisht në vendin tonë janë vetëm tre interpretë profesionistë të cilët e kanë të pamundur të mbulojnë nevojat për 4 mijë persona që nuk dëgjojnë plotësisht dhe rreth 35 mijë të tjerë që kanë probleme me dëgjimin. /vizionplus.tv




