Numri i çifteve në pritje për birësim ka rënë ndjeshëm, nga 50 vitin e kaluar në vetëm 30 gjatë këtij viti. Kjo pasi numri i fëmijëve të shëndetshëm për t’u birësuar është i ulët.
“Nuk kemi një rritje të numrit të kërkesave, pak a shumë janë të njëjta, kjo sepse janë ndërgjegjësuar që numri i fëmijëve të braktisur në institucion është më i ulët, por gjithashtu u kanë dhënë mundësi vetes të kenë një shtatzëni jo në mënyrë natyrale, por nëpërmjet fekondimit in vitro. Aktualisht ky numër është 30 çifte, që do të thotë ka rënë nga viti i kaluar që ka qenë 50 çifte, që do të thotë këta 30 çifte që janë në listë pritje janë duke pritur për një propozim të mundshëm sipas kërkesave të tyre, ndërsa pjesa tjetër e mbetur, një pjesë kanë birësuar, një pjesë janë tërhequr, një pjesë kanë mundur të kenë një shtatzëni të tyre”, shprehet psikologe Ina Musaj (Muka).
Mungesa e fëmijëve të shëndetshëm për birësim ka bërë që numri i kërkesave të tejkalojë ndjeshëm atë të birësimeve.
“Numri i kërkesave e tejkalon numrin e birësimeve, duke qenë se fëmijët e shëndetshëm arrijnë të birësohen menjëherë, edhe pse ky numër nuk është në rritje, pra fëmijë të shëndetshëm për t’u birësuar nuk ka. Ne në listë pritje kemi fëmijë që janë në moshë madhore ose me probleme të rënda shëndetësore apo të shëndetit mendor.”
Nga ana tjetër, çiftet e huaja, ndryshe nga ato shqiptare, tregojnë gatishmëri për të birësuar edhe fëmijë me probleme shëndetësore apo më të rritur.
“Çiftet e huaja janë të predispozuara të birësojnë fëmijë me problematika shëndetësore, në moshë madhore, të një race tjetër apo edhe me probleme të shëndetit mendor.”
Grupmosha më e kërkuar mbetet ajo 1–2 vjeç, ndërsa fëmijët mbi 10 vjeç kërkohen shumë më rrallë.
/vizionplus.tv





