Subscribe

Vajza dhe gra në të gjithë vendin festojnë, por edhe protestojnë për më shumë të drejta, barazi dhe kundër dhunës, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

 

Ky 8 Mars, shumë prej grave në kryeqytet i gjeti me lule dhe dhurata në duar, në shenjë dashurie dhe mirënjohjeje.

 

“Kështu ka qenë përherë dhe kështu do jetë, ndoshta më mirë, le të marrin një energji të mirë, një mesazh të ngrohtë sepse i bën të ndjehen më mirë. Edhe pse bota e feston ndryshe.”

 

“Unë që herët mora një tufë të madhe me lule, e ke këtë nga fondi im më tha. Prandaj i them grave jepni sa më shumë dashuri që të merrni sa më shumë.”

 

Shumë gra e vajza dolën më herët nga puna këtë të mërkurë, për të kaluar së bashku festën e 8 Marsit, në restorantet apo baret e Tiranës.

 

 “Po dolëm për festë se është festa jonë, do dalim në ndonjë lokal. Ne se shohim si protestë e shohim si ditë qejfi, sepse këtë ditë kemi dalim me familjen, me motrat pimë diçka.”

 

8 marsi në fakt, shënon protestën e fuqishme të grave në kërkim të të drejtave të tyre. Kërkesa që sot mbështeten edhe nga burrat.

 

 “Unë habitem se këtu në Shqipëri gratë rregullohen dalin festojë dhe nuk protestojnë për të drejtat e tyre. Të ngrihen se kanë humbur të drejtat se i kanë ulur.. duhet të ngrihen sa më shpejt aq më ulur se kështu sa më shumë rrinë aq më shumë i ulin.”

 

Në sheshin “Nënë Tereza” u vendos instalacioni “Këpucët e kuqe”, si simbol i vajzave të vrara nga bashkëshortët, apo edhe familja e tyre.

 

Kjo atmosferë nuk është ndjerë vetëm në Tiranë. Edhe në qytetin bregdetar të Vlorës, aktivistë të shoqërisë civile dolën në një manifestim me pankarta në duar, për të dhënë mesazhe sensibilizuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *