“Me dëshmitar profetin tonë Skënderbe”, Rama: Vetëm ne kemi në dorë fatin evropian të Shqipërisë
Më 12 prill, në orën 12:00, me 12 yjet simbolikë e Bashkimit Evropian, Partia Socialiste çeli zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 11 majit.
Kryesocialisti Edi Rama, i cili mori fjalën i fundit, tha se tani është momenti për të ndryshuar historinë e Shqipërisë. Ram tha se Shqipëria tani ka mundësinë historike që të bëhet zonjë, anëtare e Bashkimit Evropian.
Mbledhjen e sotme të socialistëve në sheshin kryesor të Tiranës e quajti ndryshe, pasi në këtë shesh qëndron dëshmitar heroi ynë kombëtar Skënderbeu.
Rama: Një mundësi historike për Shqipërinë që në vetëm 4 vjet mund të behet zonjë, anëtare e BE. Ne dhe vetëm ne dhe askush tjetër kemi në dorë fatin evropian të Shqipërisë dhe kemi 30 dit përpara për tu lidhur dorë për dore me çdo shqiptar/e që e do Shqipërinë në BE dhe veten e vet qytetar/e të barabartë të Evropës. Prandaj është krejt ndryshe nga të gjitha herët e tjera mbledhja jonë sot këtu në këtë shesh ku qëndron dëshmitar dhe udhërrëfyes stoik shëmbëlltyra e profetit tonë kombëtar, hipur mbi kalin e historisë së shqiptarëve.
Zoti i ka dhuruar çdo populli një profet në gjuhën e tij. Shqipëria pati dhe Skënderbeun profetin e pavarësisë. Me qindra e me mijëra pllakëzat e sheshit që mban emrin e profetit rrëfejne hijen e gjatë të qenies tonë shqiptare nga njëri cep i vendit të tjetrin, tokën e zhurritur nga gjaku, lotët dhe djersën e shqiptarëve në shekujt e shumtë të ekzistencës së tyre, dinjitetin dhe hijeshinë amësore të kësaj toke. Rrëfejnë një copër martire të trupit të Evorpës dëshmitare kobesh të padëgjuara./vizionplus.tv




