Dy të rinj janë proceduar penalisht në pikën kufitare të Muriqanit, pasi janë kapur me 14 mijë euro dhe 1130 paund me vete.

 

Sipas policisë, dyshohet se këto të ardhura janë përfituar në mënyrë të paligjshme.

 

Në prangat e policisë kanë rënë shtetasit C.R dhe S.R, përkatësisht 22 dhe 19 vjeç me banim në Itali.

 

Ndaj tyre rëndojnë dy vepra penale.

 

Muriqan/Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi.

 

Sekuestrohen 14.030 euro dhe 1130 paund, të dyshuara të përfituara në mënyrë të paligjshme, procedohen penalisht 2 shtetasit që nuk i deklaruan në kufi.    

 

Shërbimet e Policisë Kufitare në Muriqan, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Audi”, me të cilin udhëtonin shtetasit C. R. dhe shtetasin S. R. 

 

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën dhe sekuestruan 14.030 euro dhe 1130 paund, që i posedonin shtetasit C. R. dhe S. R., të cilët nuk i kishin deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Nga veprimet hetimore dyshohet se shumat e parave të sekuestruara janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme. 

 

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit C. R., 22 vjeç, banues në Angli dhe S. R., 19 vjeç, banues në Itali, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

 

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *