McCain në Tiranë, takime me krerët e shtetit

Senatori amerikan John McCain vizitoi sot Tiranën, si pjesë e një turi në Ballkanin Perëndimor. Vizita u zhvillua ndërsa opozita ka bojkotuar parlamentin dhe situata politike ishte pjesë e bisedimeve të tij. McCain u takua me presidentin Nishani, i cili deklaroi se Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributet e të përmbushë përgjegjësitë ushtarake dhe financiare në NATO. McCain vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë për paqen.
Ne takimin me kryeministrin Rama, senatori amerikan e vuri theksin tek rëndësia e rritjes se bashkëpunimit ne luftën per parandalimin e ekstremizmit te dhunshme. Takimi zgjati dy orë dhe Rama pas tij bëri një koment në Facebook, ku shkroi: 120 minuta të paharrueshme me një mik të madh të shqiptarëve dhe një mbështetës besnik të Shqipërisë në rrugën e reformave që bëjnë shtet.
Situata politike në vend, zhvillimet e fundit në rajon dhe partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA, ishin në fokus të takimit të kryeparlamentarit Meta me senatorin McCain. Meta theksoi se politika duhet të tregohet më e përgjegjshme për të krijuar klimën e duhur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve sipas standarteve. kryeparlamentari vlerësoi mbështetjen e SHBA në avancimin e procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë, luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe trafiqeve të lëndëve narkotike. Në takim, Meta e McCain ndanë bindjen se SHBA-te duhet të rrisin vëmendjen në Evropën Juglindore.
Senatori McCain u takua edhe me liderin e opozitës Lulzim Basha. Basha shprehu shqetësimin për gjendjen kritike të vendit në raport me sigurinë dhe krimin e organizuar për shkak të shumëfishimit të kultivimit dhe trafikut të drogës dhe pranisë së personave me rekorde të rënda kriminale në Parlament, Bashki dhe funksione të larta. Sipas tij, zgjedhjet e ardhshme janë totalisht të pamundura pa çmontuar rrezikun nga paratë e drogës dhe nga kriminelët e interesuar për ruajtjen e gjendjes së tanishme të kapjes së shtetit. Ai përsëriti se vetëm pastrimi i politikës nga krimi dhe lufta efikase kundër drogës dhe krimit përmes një qeverie teknike, do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira.
Më herët senatori amerikan pati një takim me ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila e njohu me progresin e bërë në fushën e mbrojtjes dhe angazhimin e Shqipërisë për zbatimin e reformave. Kodheli foli per kontributin e Shqipërisë ne misionet ku marrin pjese forcat e armatosura, si dhe për luftën kundër ISIS. Në njoftimin në faqen e Ambasadës Amerikane në Tiranë sqarohet se McCain theksoi partneritetin ushtarak SHBA-Shqipëri, rëndësinë e reformës në drejtësi, si dhe përpjekjet për të mundur ISIS.




