Subscribe

Një ditë pas dështimit të negociatave në Tiranë, kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian David McAllister, apelon sërish për zgjidhjen e krizës.

 

Në një status ne facebook, McAllister thekson se përplasja rrezikon zgjedhjet.

 

“Ne Shqipëri prej javësh një krize e thellë politike rrezikon zgjedhjet e planifikuara për në muajin qershor. Për këtë arsye dje unë negociova mes qeverisë dhe opozitës në Tiranë. Në disa aspekte pati hapa frytëdhenes por në çështjen thelbësore të datës së zgjedhjeve dhe mundësisë për krijimin e një qeverie teknike nuk pati konsensus. Tani ajo që vlen, është tejkalimi i bllokadës politike.”

 

Po ndërsa McAllister  dhe Fleckenstain lanë Shqipërinë mëngjesin e sotëm, liderët politikë dhe ambasadorët më të rëndësishëm zhvilluan një seri takimesh.

 

Në mëngjes, Rama qëndroi në zyrën e Metës për afro 90 minuta. Pas takimit nuk pati asnjë prononcim. Por burimet bënë të ditur se Rama e Meta diskutuan mbi situatën politike pas dështimit të misionit ndërmjetësues ndërkombetar.

 

Pak më vonë, ambasadorët e vendeve te BE u mblodhën duke diskutuar të njëjtën situatë.

 

Ambasadorja e Be Vlahutin nuk pranoi të bënte komente.

 

Pothuajse në të njëjtën kohë, ambasadori amerikan Donald Lu zhvilloi një takim rreth një orë me kryeministrin Rama.

 

E menjëherë pas kësaj bisede, Lu, i shoqëruar nga ambasadorja Vlahutin, qëndruan për një orë edhe në zyrën e Metës.

 

Asnjë nga palët nuk pranoi të fliste.

 

Një ditë më parë, mazhoranca pranoi të gjitha pikat e ofruara nga negociatorët McAllister dhe Fleckenstain me kusht kalimin e vetingut.

 

Kryeministri ra dakord per zëvendësimin e disa ministrave politike me përfaqësues teknike, si dhe pikat e tjera që lidhen me përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Ai u shpreh i hapur edhe për të diskutuar një shtyrje të arsyeshme të datës së zgjedhjeve, brenda kufirit të lejuar nga Kodi Elektoral.

 

Por gjithçka u rrëzua nga refuzimi që opozita i bëri dokumentit të negociatorëve të huaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *