Kryeministri Rama reagoi për herë të parë pas vendimit për mbylljen e shkollës ‘Turgut Ozal’ në Tiranë duke iu përgjigjur edhe akuzave se është një vendim arbitrar.

 

Përmes një reagimi në Twitter, Rama sqaroi se në heqjen e liçencës të këtij institucioni nuk ka asnjë qëllim tjetër sikurse është aluduar, përveç zbatimit të ligjit.

 

“Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një liçence shkolle si plot të tjera më parë.”

 

Sipas Ramës, shkolla në fjalë ka shitur godinën e re dhe ka hapur aktivitetin në një tjetër godinë për të cilën nuk është pajisur me lejen përkatëse.

 

“Të shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standartet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e liçencës.”

 

Më tej, kreu i qeverisë shton se përdorimi i fëmijëve të shkollës dhe prindërve të tyre për të fshehur fajin karshi ligjit, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të arsimit.

 

“Përdorimi i fëmijëve pastaj për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *