Subscribe

Deri më 10 Qershor për shqiptarët është e ndaluar të shkojnë në plazh. Vendimi i komunikuar një ditë më parë më parë nga kryeministri Edi Rama, kishte si argument të vetëm dhe të njëjtin, luftën kundër përhapjes së virusit.

Përveç urdhrit, i cili nuk është publikuar ende në fletoren zyrtare, kreu i qeverisë nuk jep asnjë të dhënë se mbi ç’të dhëna shkencore e morri këtë vendim për t’i hequr të drejtën qytetarëve të marrin rreze dielli apo të lahen në det.

E ndërsa Komiteti i Ekspertëve nuk është shprehur publikisht dhe me të dhëna shkencore për këtë masë ndaluese, specialistë të Institutit të Shëndetit Publik, përfshirë këtu një nga zërat kryesore të luftës kundër Covid-19, Pëllumb Pipero, vazhdojnë të këmbëngulin në hapjen e vendit duke përfshirë këtu edhe plazhin.

Nëse i referohemi vetëm deklaratës së kryeministrit se mbyllja e plazheve bëhet për të shmangur grumbullimin e njerëzve dhe për pasojë rreziku i përhapjes së virusit, në një kohë kur shifrat e të infektuarëve janë në minimumin e tyre, nuk përbën një argument bindës.

Vetëm 24 orë më parë kur qytetarëve u ndalohej të shkonin në plazh, me mijëra besimtarë myslimanë falën namazin e Fitër Bajramit. Pamjet që vinin nga mjediset para xhamive në gjithë vendin ishin këto.

Asnjë masë sigurie e respektuar. Me qindra besimtarë, në distancë milimetrike mes njëri tjetrit që kryenin ritin e tyre fetar në mjediset para xhamive. Madje në disa prej tyre, ceremonia fetare zhvillohej brenda institucioneve fetare, ku ajri bëhet edhe më i rënduar dhe mundësia e infektimit mund të jetë më e madhe.

Edhe pse vendimet e ndërmarra nga qeveria ndalojnë zhvillimin e protestave, me arsyetimin se përhapet virusi, ato nuk i ndali kush. Që nga e Diela e shembjes së Teatrit Kombëtar, me qindra njerëz, ngjitur me njeri tjetrin, pa maska protestuan me trup e zë, madje edhe me stërkala kundër shembjes. 

Grumbullimet e njerëzve janë një normalitet në çdo lagje të qyteteve shqiptare. As distancë as maska për të kontribuar në mospërhapjen e virusit.

Në ndryshim nga shumë vende të rajonit, si Greqia apo Kroacia ku numri i të infektuarëve apo jetëve të humbura është disa herë më i lartë se në vendin tonë, plazhet i kanë hapur. Prej ditësh qytetarët ushtrojnë të drejtën e tyre për të pushuar në bregdet, gjithnjë duke i respektuar masat mbrojtëse.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *