Në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar procesi i votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në 44 komuna dhe qytetin e Shkupit. Sipas Komisionit Shtetëror të zgjedhjeve, ecuria ka qënë e qetë me përjashtim të disa vendvotimeve ku ka patur vonesa për shkak të problemeve teknike me pajisjet e identifikimit.

Rezultatet e para pritet të dalin mëngjesin e së hënës por gara është e fortë në Tetovë ku diferenca nga raundi i parë është tejet minimale midis kandidatëve Teuta Arifit të BDI-së dhe Bilall Kasamit të Lëvizjes BESA, në Gostivar mes Arben Taravarit të Aleancës për Shqiptarët dhe Nevzat Bejtës të BDI-së, në Qair midis Visar Ganiut nga BDI dhe Bekim Salit nga koalicioni ASH-AA.

Për Dibrën garojnë Bekim Pocesta i Aleancës për Shqiptarët dhe Hekuran Duka nga BDI ndërsa në Strugë Ramiz Merko i BDI-së dhe Idri Istrefi i Aleancës për Shqiptarët.

Lidhja Socialdemokrate e kryeministrit Zoran Zaev garon në 30 komuna, partia më e madhe opozitare VMRO DPMNE në 25, Bashkimi Demokratik për Integrim në 13, Aleanca për Shqiptarët në 7 komuna , Lëvizja Besa në dy dhe në një komunë, kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare. Në raundin e parë, VMRO DPMNE-ja ka fituar në pesë komuna të Shkupit, ndërsa LSDM-ja në asnjë prej tyre. Kryeministri Zoran Zaev, ka deklaruar se do të largohet nga drejtimi i qeverisë nëse partia e tij e humb garën në Shkup. Nëse kjo vërtet ndodh, vendi do të duhej të përgatitet për zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *