Mbyllet votimi në Kosovë

Kanë përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Mbi 1 milion e 872 mijë qytetarë me të drejtë vote ishin regjistruar për të votuar për 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 nisma qytetare, ndërsa 971 kandidatë konkurrojnë për parlamentin 120 vendesh.
Në gjithë Kosovën, qenë hapur 889 qendra të votimit, ndërsa procesi u ndoq nga 29 mijë e 264 vëzhgues, nga subjektet politike, Bashkimi Evropian, ambasadat dhe organizatat joqeveritare vendase.
Partitë politike premtuan gjatë fushatës rritje ekonomike e rritje pagash si dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Evropës Juglindore që ka mbetur jashtë regjimit të udhëtimit pa viza në vendet e zonës Shëngen dhe e fundit në proceset integruese.
Një pjesëmarrje më e lartë se kurdoherë është regjistruar në komunat me shumicë serbe në të cilat konkurruan pesë subjekte politike nga radhët e këtij komuniteti, por është regjistruar pjesëmarrje të ulët në zgjedhje në të gjithë vendin.
Rreth 200 vëzhgues të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, qëndruan në pjesën veriore të Kosovës për të ndihmuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, i cili kaloi i qetë me gjithë shqetësimet që pasuan disa incidente gjatë fushatës zgjedhore, përfshirë edhe shoqërimin në stacionin e policisë të Aleksandër Jabllanoviçit, udhëheqës i Partisë së Serbëve të Kosovës.




