Spitali COVID 2 do të mbyllet për t’iu rikthyer shërbimin pacientëve më sëmundje pulmonare. Ky vendim vjen në një kohë kur në Sanatorium janë rreth 40 pacientë të shtruar, të cilët do të trajtohen në Spitalin Infektiv.
OGERTA MANASTIRLIU
MINISTRE E SHENDETESISE DHE MBROJTJES SOCIALE
“Tashmë erdhi momenti për të lajmëruar mbylljen e këtij spitali, si spital COVID 2, pra si spital që trajton pacientët me COVID dhe rikthimin në normalitet, në shërbimet që ofron Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”. Të gjitha urgjencat e pacientëve me COVID-19 të Shqipërisë tashmë do të kalojnë në Spitalin Infektiv COVID 1.
Por ministrja siguroi se nëse do të ketë pacientë në fazën post-COVID që kanë nevojë për trajtim të specializuar në Sanatorium, do të kalojnë sërish aty.
“Dua që këtu të siguroj të gjithë qytetarët se, pavarësisht faktit që kemi marrë këtë vendim, pra për të mbyllur spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, si spital që trajton rastet covid, kjo nuk do të thotë që harmonizimi i shërbimeve dhe brenda këtij spitali nuk do të jetë funksional, për ato raste post-covid apo covid-it të gjatë, të cilët do të kërkojnë një trajtim të specializuar.”
Gjatë një viti pandemie, 4 struktura spitalore në kryeqytet dhe 3 pavijone të dedikuara në spitalet rajonale të Shkodrës, Durrësit dhe Elbasanit kaluan në dispozicion të pacientëve covid, ndërkohë që deri më tani numërohen rreth 130 mijë të shëruar.





