Subscribe

“Ferma VIP” tashmë është gati të presë 16 banorët e saj të parë. Në këto ambiente do të marrë jetë një realitet i jashtëzakonshëm, ku protagonistët do të garojnë në rrethana krejtësisht të reja për publikun shqiptar.

Mbrëmjen e sotme, në orën 21 nga kjo skenë, Vizion Plus do të përcjellë të gjitha dimensionet e një spektakli prestigjioz që mban peshën e një patente ndërkombëtare me sukses të garantuar.

E shpërndarë dhe realizuar në më shumë se 50 shtete të botës, 30 prej të cilëve me edicione të përvitshme, duke nisur nga viti 2001.

Një sipërmarrje e jashtëzakonshme, për të cilën po punohet intensivisht prej kohësh, nën drejtimin e producentes së suksesshme Holta Dulaku. Ky reality show vjen për herë të parë në Shqipëri dhe do të transmetohet 24 orë në shtatë ditë të javës në dy kanale të dedikuara në platformën Tring.

Ndërsa çdo të hënë dhe të premte do të ndiqni netët e premierës në Vizion Plus nën moderimin e Fjoralba Ponarit dhe Bes Kallakut.

E jashtëzakonshme vëmendja mediatike dhe publike ndaj edicionit të parë të “Ferma Vip”. Emrat e lakuar si konkurrentë potencialë, kanë pushtuar faqet e showbizit, kronikës rozë dhe jo vetëm, duke u shndërruar në kryefjalë të padiskutueshme të jetës publike, jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë, ku të gjithë janë kureshtarë të zbulojnë a thonë diçka më tepër për produksionin e momentit, që po pritet me padurim. Gjithkund flitet për “Ferma Vip”.

Sa më i madh interesi publik, aq më hermetik produksioni që, me sa duket, ka vendosur t’i lërë shumëçka në dorë natës së madhe të premierës së sotme, duke dashur ta mbajë mbërthyer audiencën.

Ata do të jenë fermerët më të rinj në vend, do të merren me rritjen e mbarështimin e kafshëve, do të punojnë tokën, do të bëhen bujq e blegtorë në kuptimin e parë të fjalës, për të siguruar ecurinë e tyre në program.

Një aspekt ky që do ta bëjë këtë reality absolutisht më interesantin për t’u ndjekur, pasi në fermën e VIP-ave, asgjë nuk dhurohet, gjithçka duhet fituar me mund, shpeshherë edhe ushqimi dhe të mirat bazike të jetesës.

Një reality show që sfidon njeriun dhe personazhin, që shfaq rezistencën fizike, durimin, aftësinë për të mbijetuar, për t’u përshtatur, për të jetuar e bashkëvepruar në komunitet. “Ferma Vip” është një eksperiment shumëdimensional që i “zbath” konkurrentët para shikuesit, që i zhvesh ata nga petku i jetës së përsosur dhe shkëlqimi i botës mondane.

Spektakli i madh do të zhvillohet në dy net Prime, përkatësisht të hënën dhe të premten, drejtpërdrejt në ekranin e Vizion+, ndërkohë që pjesëmarrësit dhe jetesa e tyre në fermën më të famshme në Shqipëri do të përcillen live 24/7 në dy kanale të dedikuara në platformën Tring, në cilësi absolute, në të gjitha paketat, tokësore, satelitore dhe OTT./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *