Deputetët e Kosovës janë mbledhur sërish këtë të hënë në përpjekjen e katërt për konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që t’i hapin rrugë edhe formimit të Qeverisë së re, më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Seanca e sotme është vazhdim i asaj të ndërprerë ditën e shtunë, kur kandidatja e partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk arriti të fitojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare.
Vetëvendosja pritet ta propozojë sërish Haxhiun edhe në seancën e sotme, por nuk është e qartë nëse i ka votat e nevojshme.
Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, do të quhet e kryer vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve.
Dhe nëse një gjë e tillë do të arrihet sot, atëherë i hapet rruga krijimit të Qeverisë së re, e cila kërkon të paktën 61 mandate.
Asnjëra nga partitë nuk i ka fituar numrat e nevojshëm, prandaj do të mbetet për t’u parë se si do të veprojnë secila nga forcat politike.
Aleatët ndërkombëtarë të Kosovës kanë kërkuar formimin sa më shpejt të jetë e mundur të institucioneve të reja.





