Subscribe

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Komisioni i posaçëm për reformën ne drejtësi është mbledhur paraditen e së martës per te shqyrtuar projektligjin e Vetingut, që do mundësojë kontrollin e trupës së gjykatësve dhe prokurorëve. Gjatë mbledhjes që zgjati për rreth 1 orë e gjysmë, përfaqësuesit e  opozitës kane bere vërejtjet përkatëse, mbi draftin për Vetingun. Roli që do të ketë ILDKPKI dhe Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, është një ndër pikat për të cilat opozita ka vërejtje dhe kërkon rishikim, duke kërkuar që këto institucione të kenë vetëm rol informues dhe jo hetues. Në opinionin e saj, opozita thekson rishikimin e draftit ligjor, pasi sipas saj, duhet shmangur mundësia që ky proces të krijojë mundësinë për kapjen politike të sistemit të drejtësisë nga mazhoranca parlamentare. Sa i takon rolit të ILDKPKI, opozita është e mendimit se i gjithë procesi i vlerësimit të pasurisë duhet të rikonceptohet, në mënyrë që të japë të gjitha garancitë e nevojshme që do të arrihet rezultati i pritshëm. Masa e jashtëzakonshme e rivlerësimit duhet të zbatohet ekskluzivisht nga organet e posaçme të Vetingut, pa asnjë rol aktiv të organeve ekzistuese. Sipas saj, kontrolli i deklarimeve dhe ligjshmërisë së pasurisë, mbledhja dhe marrja e provave, si dhe analizimi i arsyetuar i rrethanave, provave dhe fakteve, duhet të bëhet nga organet e Vetingut. Ndërsa në lidhje me parashikimet mbi funksionimin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, opozita pretendon se emërimi i drejtuesit të këtij institucioni nga ana e kryeministrit e bën procesin e kontrollit të figurës tërësisht një proces politik dhe mund të shërbejë si mekanizëm për të larguar nga detyra gjyqtarë dhe prokurorë të papreferuar dhe të pakontrolluar nga Kryeministri aktual. Ekspertët e opozitës theksojnë se kontrolli i figurës, mbledhja dhe marrja e provave, si dhe analizimi i arsyetuar i rrethanave, provave dhe fakteve, duhet të bëhet nga organet e Vetingut. Mësohet se është rënë dakord që pas kësaj mbledhjeje eksperët e të dyja palëve do të ulen për të diskutuar mbi pikat në të cilat ka dallime mes palëve, derisa te arrihet ne nje variant te përbashkët. Vetëm pas këtij moment pritet që Komisioni të rimblidhet për shqyrtimin e projektligjit. Një dite me pare, kreu i kuvendit Ilir Meta zhvilloi takime me liderin e opozitës Basha, por edhe me kryeministrin Edi Rama, me te cilet diskutoi mbi rëndësinë e kalimit me përparësi te vetingut, brenda muajit gusht.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *