Partia Socialiste e Beratit ka zhvilluar mbrëmjen e të mërkurës mbledhjen e parë të zgjeruar të Asamblesë së degës.

Pas ristrukturimit dhe organizimit dixhital të degës së Beratit, i deleguari politik për qarkun, Blendi Klosi ka mbledhur mbrëmë socialistët për t’u caktuar edhe detyrat. Klosi e ka nisur fjalën e tij me datën e zgjedhjeve, të caktuar tashmë nga Presidenti i Republikës, datë kur sipas tij do të ketë një përballje të madhe jo vetëm për socialistët, po për Shqipërinë.

Klosi theksoi se Edi Rama do t’iu kërkojë shqiptarëve mandatin e tretë për të qeverisur Shqipërinë dhe për të vazhduar një numër të madh reformash. Klosi u ndal edhe tek kundërshtarët politikë të PS. Sipas tij, në kuadër të mosdakordësisë ndërmjet tyre apo mos zgjedhjes së një lidershipi të vërtetë për të paraqitur në fushatë, akoma s’kanë paraqitur asnjë propozim konkret apo ide se çfarë ata do t’iu propozojnë shqiptarëve në 25 prill.

Duke deklaruar se në 8 vite qeverisje, Partia Socialiste u ka shërbyer shqiptarëve pa ndarje partiake, Klosi ka deklaruar se 25 prilli do të jetë një përballje me një force politike që përfaqëson shumicën e shqiptarëve siç është PS.

Sipas Klosit, Berati është një qytet i transformuar në të gjitha dimensionet e tij, i shndërruar në një destinacion të vërtetë turistik, një qytet që prodhon jo vetëm turizëm, por edhe një ekonomi të madhe rurale dhe një qytet që është kthyer në një kantier ndërtimi falë qeverisjes socialiste.

Për deputetin e Beratit, Fadil Nasufin, mandati i tretë nuk është thjesht garë e Partisë Socialiste me kundërshtarët e saj, por është fati i shqiptarëve që duhet të jetë në duart e Edi Ramës.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo deklaroi se 6 muajt që kanë mbetur deri në zgjedhje do të jenë prova finale për të treguar që PS është alternativa më e mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *