Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor janë takuar sot në Luksemburg. Në fokus të diskutimeve ishte procesi i integrimit, lufta në Ukrainë dhe situata në Gaza.
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten, ndaj kërkoi që të vijojë procesi i zgjerimit të BE-së.
“Ne shohim se tensionet po rriten dhe duhet patjetër të lëvizim me procesin e zgjerimit, sepse kjo është diçka që është vërtet e prekshme. Dhe ne kemi vërtet nevojë për histori suksesi këtu,” tha Kaja Kallas, Kryediplomatja e BE-së.
Ndërkohë, Kallas nuk përmendi shtete konkrete ku tensionet po rriten, por vëmendja është përqendruar kryesisht në Bosnje e Hercegovinë, ku autoritetet e entitetit të Republikës Sërpska kanë ndërmarrë veprime që kanë rritur shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare.
Rreziku i shkëputjes së serbëve nga Bosnja është gjithnjë e më i madh.
/vizionplus.tv





