Subscribe

Brenda muajit të ardhshëm do nisë puna e kompanisë EcoTirana, ndërmarrja publike në pronësi thuajse të barabartë mes Bashkisë se Tiranës dhe asaj të Veronës. Risia e këtij projekti është mbledhja e diferencuar e mbetjeve në kryeqytet. Për kreun e qeverisë Edi Rama, kjo nismë do të rrisë sasinë e mbetjeve që riciklohen në Shqipëri.

Edi Rama: Sot ne kemi një industri riciklimi që punon vetëm me 30% të kapacitetit të saj logjistik dhe teknik, për shkak të një moratoriumi që vendosëm në 2013-ën për të gjitha mbetjet që do importoheshin në Shqipëri. Sidoqoftë, gjatë kësaj periudhe kemi arritur ta afrojmë këtë industri më shumë drejt problemit tonë dhe sasia e asaj që riciklohet sot në Shqipëri nuk është një shifër indiferente: 120 mijë ton në vit nga kjo industri lokale e cila ka investuar ndër vite 273 milionë euro në ndërtesa dhe teknologji. Por, sigurisht, është një shifër që duhet ta tejkalojmë.

Kryebashkiaku Veliaj tha se marrëveshja do përmbushë ambicien për të kthyer Tiranën në qytetin më të pastër në Ballkan.

Erion Veliaj: Për herë të parë do të fusim edhe konceptin e mbeturinave të ndara që në burim. Sigurisht që ne do të investojmë në kontejnerë të rinj, në pajisje moderne, në staf të kualifikuar, por do të shpenzojmë të njëjtën energji, siç po e bëjmë për infrastrukturën dhe makinerinë, për kulturën, për të arsimuar fëmijët, të rinjtë, familjet dhe të gjithë qytetarët sesi mund të jenë partnerë dhe bashkëpunëtorë të kësaj kompanie publike. Plani i ekspansionit është që pas 18 muajsh ne të kemi mbuluar gjithë territorin e Tiranës me kompaninë tonë të re “Eco Tirana”, kompania publike.

Për kryebashkiakun e Veronës Flavio Tosi, marrëveshja është vetëm pikënisja e rritjes së cilësisë së jetesës së qytetarëve. Ajo është përshëndetur edhe nga ambasadori italian.

Flavio Tosi: Jam absolutisht dakord që ky është vetëm fillimi, sepse për ne që do të punojmë, sigurisht me një kryesi italiane, sepse “know-how” (dija) është italian, por me punonjës shqiptarë, do të përpiqemi që të zhvillohemi bashkërisht, do e shohim me vëmendje të madhe dhe të veçantë këtë rrugëtim zhvillimi të përbashkët, sepse fakti që Verona, Italia, së bashku me Shqipërinë, të mund të përmirësojnë në mënyrë reciproke kushtet dhe cilësinë e jetës së qytetarëve tanë, është për ne vërtet krenari.”

Alberto Cutillo: Marrëveshje që ka të bëjë veçanërisht me sektorin e mbledhjes, trajtimit dhe eliminimit të mbetjeve urbane, por që është e hapur edhe për zhvillimin në sektorë të tjerë. Tirana ka tani detyrën e rëndësishme që të menaxhojë mbledhjen dhe eliminimin e mbetjeve të ngurta urbane, duke pasur qëllimin që të sjellë këtu praktikat më të mira.”

Në harkun kohor të një viti e gjysmë, ndërmarrja “Eco Tirana” do të menaxhojë një fond prej 2.5 milion eurosh, ku 10% e këtij fondi do të shtohet për të mundësuar mbledhjen e diferencuar të mbetjeve. Zona ku do të punohet fillimisht nga kjo kompani njihet si “zona e kuqe”, që është pjesa e qendrës dhe Tiranës së re.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *