Subscribe

Që nga operacioni i Lazaratit, por edhe monitorimet e policisë me avionë për zbulimin e parcelave me hashash, kultivuesit kanë gjetur mënyra të reja për mbjelljen e kanabisit. Vështirësia ka bërë që trafikantët të shfrytëzojnë serat madje dhe neonet, një sistem ndriçimi, i cili lejon rritjen e fidanëve. Në operacionin e koduar me të njëjtin emër “Neonet” policia sekuestroi 35 fidanë hashash të mbjella në një magazinë në Gjirokastër. Muzafer Mamo, kishte ngritur një serë me ngrohje elektrike për kultivimin e kanabisit ku Sera-laborator ngrohej me reflektorë e llampa neoni. Bimët të cilat kishin arritur gjatësinë deri në 40 cm ishin mbjellë në magazinën 70 metra katrorë. Për herë të parë policia ra në gjurmët e këtij lloj kultivimi në vitin 2014, ku në fshatin Kurjan të Fierit u zbulua një serë droge. Ndonëse pak kilometra larg qytetit sera me sipërfaqe 2000 metra funksiononte për mrekulli, pasi në të ishin mbjellë 2 tonë hashash me vlerë 700 mijë euro në treg. 6 persona ranë në pranga, mes tyre 4 femra, ndërkohë që sipas policisë mbi 1300 kilogramë drogë ishin gati për tharje ndërsa 10 kilogramë gati për tregtim. Një vit më pas në një tjetër operacion të policisë u zbulua një serë masive prej 6 dynymësh në Lushnje. Gjatë operacionit të koduar “Kadie” për shkak të fshatit me të njëjtin emër u sekuestruan 4 sera në të cilat ishin mbjellë 12 mijë rrënjë kanabis. Në pranga ranë 6 persona, të cilët kishin arritur të shfrytëzonin serat fare pranë rrugës nacionale.
Metoda e rritjes së hashashit në sera duket se joshi dhe një efektiv policie në Berat. Në 9 nëntor të 2015 u arrestua 34 vjecari Ilir Jaho punonjës policie, me detyrë trupë shërbimi pranë Qarkullimit Rrugor në Berat. Së bashku me dy persona të tjerë të shpallur në kërkim kishin mbjellë në 4 sera në fshatin Lepardha, 11 mijë rrënjë hashash. Teknologjia për rritjen e hashashit u përdor dhe nga zv/drejtori i hekurudhave në Durrës, i cili u arrestua në janar të këtij viti. Artur Mahmutaj, kishte kthyer një magazinë në hapësirë të kultivimit të hashashit. Magazina, e cila u zbulua në lagjen nr 15 të Durrësit shërbente si laborator me neone, për rritjen madje dhe tharjen e lëndës narkotike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *