Kryeministri Edi Rama, ditën e sotme ishte i pranishëm në eventin ‘Shqipëria Turistike 2030’, për të vendosur piketat e rrugëtimit të mëtejshëm drejt Shqipërisë kampione e turizmit në rajon dhe për të reflektuar mësimet e reja të këtij sezoni.
Shefi i qeverisë tha se aktualisht, deri tani, sezoni turistik ka shënuar rritje. Krahasur me një vit më parë, vendin tonë e kanë viziuar rreth 500 mijë më shumë turistë, në total mbi 9 milionë. Fokusi kryesor tani nuk është më te numrat, por te cilësia që i ofrohet turistit.
Rama: Aktualisht sezoni turistik veror ka sjellë për periudhën e deritanishme, ne të kemi mbi 9 milionë vizitorë, ose e thënë ndryshe, 500 mijë vizitorë më shumë se sa vitin e kaluar. Kjo është “rënia” e komentuar gabimisht, ashtu sikundër edhe një e dhënë tjetër që dua ta theksoj që nuk është e vërtetë që numri i vizitorëve nga Kosova ka rënë. Përkundrazi, ka një rritje e cila nuk është një rritje e madhe, për shkak se ka pak ose aspak shqiptarë në Kosovë që nuk kanë qenë më parë në Shqipëri, ashtu sikundër ka rritje edhe Italia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe padyshim edhe Greqia. Vlen të theksohet rritja e madhe nga Franca, Gjermania, Kina, India, Brazili, Australia apo edhe rritja nga Turqia dhe Izraeli. Në tërësi destinacioni po sjell rritje. Për ne rritja e numrit nuk është prioritet i parë, po rritja e shërbimit të cilësisë është prioritet. Kemi padiskutim standarde të tjera sot në turizëm, krahasimisht me nga jemi nisur dhe këtu kam parasysh operatorët turistikë të certifikuar udhërrëfeysit turistikë të certifikuar që janë afro 1000, ndërkohë që s’kishim asnjë, etj,. Kam parasysh edhe sistemin e administrimit të plazheve, sistemit shëndetësor, shërbimit policor, në një sezon ku kemi pasur zero ngjarje të rënda kriminale, apo ku kemi pasur afro 70 mijë vizita të realizuara në qendrat shëndetësore të posaçme që hapen për sezonin.
Rama u ndal edhe te disa nga sfidat në sektorin e turizmit, duke u ndalur veçanërisht te çështja e lirimit të plazheve publike dhe menaxhimi i mbetjeve. Ai theksoi rëndësinë e rikthimit të plazheve në funksion të qytetarëve dhe rritjes së përpjekjeve për pastrimin dhe trajtimin e mbetjeve në mënyrë të qëndrueshme.
Rama: Ne duhet të shërojmë plazhet e dhunuara dhe t’ua heqim nga dora privatëve. Nuk ka arsye që plazhi publik i Ksamilit të jetë një plazh privat. Eksperienca e këtij viti, tregoi që është plotësisht e mundshme. Është plotësisht e mundshme që ne të rishikojmë dhe përmirësojmë situatën në funksion të qytetarëve dhe publikut dhe jo në funksion të shfrytëzueve të atyre hapësirave që marrin. Çështja e dytë është ajo e mbetjeve. Kemi shumë rezultate pozitive, transformim rrënjësor në pastrimin e territorit falë udhëheqjes jo nga zyra por nga terreni së ministres së Turizmit, por nuk mund të bëjë dot gjë nëse paralelisht me ata që pastrojnë janë dhe ata që hedhin plehrat. Trajtimi i mbetjeve është një problem i madh.
E pranishme ishte edhe ministja e Turizmit, Mirela Kumbaro, e cila prezantoi Strategjinë Për Zhvillimin e Sektorit të Turizmit. Ministrja sqaroi se janë të paktën 972 guida turistike të certifikuara në vend, pra udhërrëfyes turistikë. Kumbaro tha se kjo është një mundësi punësimi për të gjithë të rinjtë. Ajo bëri dhe krahasimin e guidave të 2025-ës me atë të para 5 viteve, duke u shprehur se asokohe ka pasur më pak se 100 të tillë.
Mirela Kumbaro: Debatet e shezlonëve nuk janë veçse muhabeti i preferuar i ditëve të beharit. Shezlonët nuk mund të jenë aktiviteti qendror i turizmit. Edhe këtë, çdo ekspert serioz e di fare mirë. Gjithashtu, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ka sot të publikuara në Regjistrin Kombëtar të Turizmit 972 guida turistike të certifikuara. Janë gjithë ata që shikoni nëpër sheshe dhe shoqërojnë turistët. Por, më e rëndësishmja këta përfaqësojnë një front pune për të rinjtë e të reja në këtë industri. Dhe, që ta kuptojmë çfarë do të thotë rritje e këtij fronti pune, kishim më pak se 100 të tillë, 5 vite më parë./vizionplus.tv





