Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar vendimin e Enkelejd Alibeajt për të garuar me kandidatë në disa bashki në 14 maj, duke e akuzuar atë se po i shërben kryeministrit Edi Rama. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha pranoi se situata nuk e favorizon opozitën, por sipas tij nuk kemi të bëjmë me çarje të PD, por pengmarrje të një grupi demokratësh nga qeveria.
SALI BERISHA
“Enkelejd Alibeaj ka fshehur të vëllanë e tij kriminel, që është arrestuar për rrëmbimin me armë në vendet e BE dhe sot nuk dihet se ku është. Ndan të fshehtat me Edi Ramën. Ndaj dhe mbahet peng. Për këto rekorde kriminale mund të mos zgjidhej deputet, partnerja e tij mund të mos zgjidhej në gjykatë. Kjo nuk është përçarje, është pengmarrje.”
Por përtej problemeve në Partinë Demokratike, Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të reagojnë në 14 maj kundër qeverisjes socialiste. Sipas Berishës, gjatë 10 viteve që vendi është drejtuar nga kryeministri Edi Rama, është rritur numri i shqiptarëve që duan të largohen edhe për të mbështetur këtë akuzë, ai ka cituar një studim i cili vë në dukje se 80% e shqiptarëve dëshirojnë të largohen.
“Por mbi 80 përqind kërkojnë të largohen se përballen me një varfëri të frikshme në rritje. Dhe me mashtrime gjithnjë e më të mëdha. Përballë kësaj situate, Edi Rama lëshon për qëllime elektorale, premtim-mashtrimin për rrogën mesatare 900 euro. Cinik, ndaj atyre që nuk kanë. I pamëshirë.”
Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama edhe për situatën e rendit dhe sigurisë në vend.
“Pasiguria është e plotë. Këtu vriten njerëz kudo që janë nga bandat e qeverisë të lidhura me qeverinë.”
Sipas Berishës, çdo qytetar në datën 14 maj duhet të votojë koalicionin “Bashkë Fitojmë”, si reagim kundër mënyrës se si Partia Socialiste ka qeverisur vendin.