Mbi 40 të shoqëruar për ekzekutimin e dy vëllezërve në Durrës
Më shumë se 40 persona janë shoqëruar nga policia e durrësit në lidhje me vrasjen e dy vëllezërve Haxhia. Ata janë shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit që mund të kenë dijeni mbi krimin e rëndë dhe që mund të kenë parë autorët. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se mes të shoqëruarve janë disa roje parkingu që punonin pranë zonës ku ndodhi krimi apo edhe dëshmitarë okularë.
Nga kqyrja e kamerave të sigurisë, rezulton se autorët pasi ekzekutuan me breshëri kallashnikovi Viktor dhe Besmir Haxhian u larguan drejt Fushë-Krujës me një automjet te tipit Toyota ngjyrë gri. Krimi i rëndë ndodhi pasditen e të hënës pranë tregut të makinave në Shënvlash, ndërsa dy vëllezërit ishin duke dalë nga biznesi i tyre me nja makinë tip Golf. Ata u qëlluan me mbi 50 plumba.
Ende nuk dihet motivi i atentatit ndërsa dy pistat ku po hetohet jane ajo e konkurrencës në treg dhe një borxhi të mundshëm që mund të kishin vëllezërit.
Viktor e Besmir Haxhia ishin biznesmen në qytetin bregdetar. Ata ishin pronarë të një servisi makinash dhe një pike këmbimi valutor. Viktor Haxhia nga ana tjetër ushtronte dhe profesionin e avokatit.




