Brenda 4 vjetëve nga Kosova janë larguar më shumë se 156 mijë banorë, që në përqindje i bie 8.85% e popullsisë së vendit. Është vlerësuar se deri në fund të vitit 2022 mbi 949 mijë banorë jetojnë jashtë vendit.
Në të dhënat e publikuara së fundmi nga Ministria e Punëve të Brendshme, “Migrimi 2018-2022”, thuhet se nga kërkesat e shtetasve të Kosovës për t’u pajisur me vizë të zonës Shengen, 84 për qind prej tyre ishin pozitive, derisa 16 për qind janë refuzuar.
Gjithashtu në raport thuhet se numri i shtetasve kosovarë me lejeqëndrime për herë të parë në vendet anëtare të BE-së dhe zonës Schengen, ka vazhduar të rritej.
Krahasuar me periudhën e kaluar, dhënia e lejeqëndrimeve të para u rrit prej rreth 38.3%.
“Kërkesat e përgjithshme për viza Schengen nga shtetasit kosovarë në misionet diplomatike dhe konsullore të shteteve anëtare të BE-së dhe në zonën Schengen, të akredituara në Republikën e Kosovës dhe vendet e rajonit, gjatë periudhës 2018 – 2022, ka shënuar rritje prej rreth 16.2%, krahasuar me periudhën e kaluar. Nga numri i përgjithshëm i kërkesave për viza Schengen, 84% ishin pozitive, ndërsa 16% u refuzuan”, bëhet e ditur në raport.
Numri i qytetarëve që u pajisën me lejeqëndrime u rrit për 38.3% këtë periudhë, e që shumica prej tyre ishin me bashkim familjarë, 46%, dhe 36% me punësim, e rastet më të shumta janë në Gjermani, Slloveni dhe Kroaci.
“Gjatë periudhës së referencës, numri i shtetasve kosovarë me lejeqëndrime për herë të parë në vendet anëtare të BE-së dhe zonës Schengen, ka vazhduar të rritej. Krahasuar me periudhën e kaluar, dhënia e lejeqëndrimeve të para u rrit prej rreth 38.3%”
Rreth dy të 24 tretat e shtetasve të Kosovës që kanë leje të parë të qëndrimit të vlefshëm në vendet anëtare të BE-së qëndrojnë në Gjermani, Slloveni dhe Kroaci.
“Shumica e lejeqëndrimeve për herë të parë, të lëshuara për shtetasit kosovarë gjatë periudhës referuese kishin të bënin me bashkimin familjar 46% dhe qëllime punësimi 36%. Rreth dy të 24 tretat e shtetasve kosovarë që kanë leje të parë të qëndrimit të vlefshëm në vendet anëtare të BE-së dhe zonës Schengen, qëndrojnë në Gjermani, Slloveni dhe Kroaci”.
Ndërsa në vitin 2022, nga shtetësia e Republikës së Kosovës kanë hequr dorë 4,792 persona, kurse 62 janë refuzuar për mos plotësimin e kritereve ligjore.
Nga 4,792 personat të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës se Kosovës në vitin 2022 të dhënat tregojnë se 4,211 (88%) janë nga Gjermania, 419 (8.7%) nga Austria, 71 (1.5%) nga Sllovenia dhe 91 (1.8%) nga shtetet e tjera.
Ndërsa numri i përgjithshëm i urdhërlargimeve të shtetasve kosovarë nga shtetet anëtare të BE-së dhe zonës Shengen në vitin 2022 sipas shteteve u regjistruan në: Francë 1,175 (27.6%), Slloveni 935 (22%), Kroaci 560 (13.2%), Zvicra 290 (6.8%), Itali 270 (6.3%) dhe shtete të tjera 1,025 (24.1%).
Tutje në raport tregohet se mbi 5 mijë shtetas nga Kosova u zunë duke qëndruar ilegalisht në territorin e shteteve anëtare të BE-së dhe zonës Shcengen për vitin 2022.
Në këtë shifër krahasuar me vitin 2021 kishte rritje prej 14%.
“Shtetasit kosovarë që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme dhe që nuk kanë pasur të drejtë të qëndrojnë në territorin e shteteve anëtare të BE-së dhe zonës Schengen, për vitin 2022, ishte gjithsej 5,025 persona, krahasuar me vitin 2021 (4,405), kishte ngritje prej 14%”, thuhet në raport.
Shtetet Anëtare të BE-së dhe zonës Schengen, që raportuan numër më të madh të shtetasve kosovarë me qëndrim të parregullt në vitin 2022, ishin: Gjermania 1,660 (33%), e pasuar nga Zvicra 1,035 (21%), Kroacia 540 (11%), Franca 425 (8.5%), Austria 340 (7%), Italia 305 (6%), Hungaria 280 (5.6%), Sllovenia 250 (5%) dhe shtetet tjera 190 (3.8%). Vetëm në dy shtetet anëtare të BE-së (Gjermani dhe Zvicër) me qëndrim të parregullt u kapën më shumë se gjysma 2,695 (54%). /Monitor