Kryeministri, Edi Rama, ka reaguar sërish lidhur me financimet e qeverisë për djegësat e Fierit dhe Elbasanit. Në përgjigje të pretendimeve se qeveria ka akorduar mbi 100 milionë lekë për të ricikluar mbetjet e Fierit dhe Elbasanit në Dokumentin e Politikave Prioritare, kryesocialisti shprehet se nuk ka asnjë të vërtetë të tillë. Sipas tij, e vërteta e qeverisë dhe financimeve të saj gjendet në Fletoren Zyrtare.

 

“Asaj shprehjes popullore, “hedh një budalla një gur në lumë dhe 100 të mençur s’e nxjerrin dot”, po i bashkangjis si adresë Fletoren Zyrtare, ku çdo shejtanbudalla nga ata që e kanë nxjerrë nga nuk e di ku, se qeveria paskej vendosur 100 e kusur milionë për të ricikluar mbetjet e Fierit dhe Elbasanit në Dokumentin e Politikave Prioritare, mund të gjejnë se çfarë ka vendosur në fakt në atë dokument qeveria në mbledhjen e miratimit të tij, e pastaj mund t’ia tregojnë publikut, ndërkohë që për sa na takon nuk kemi vendosur asgjë të tillë”, shkruan ai.

 

Sipas tij, shumat e përcaktuara nuk lidhen vetëm me buxhetin, por edhe me financime të mundshme alternative, të cilat nuk lidhen me akuzat e ngrituara ndaj qeverisë.

 

“Me këtë rast sqaroj se shumat e përcaktuara në këtë lloj dokumenti orientues janë shuma që nuk lidhen vetëm me buxhetin, po edhe me financime të mundshme alternative, ndërkohë që guri 100 e kusur milionësh s’ka asnjë lidhje as me këtë dokument, as me ndonjë vendim tjetër tonin! Në mbyllje, mediave “investigative” që marrin pjesë në hedhje gurësh në mexhelis, u lutem të mos harrojnë t’u drejtohen edhe burimeve zyrtare, qoftë edhe për të larë gojën, sepse mund t’i kursejnë vetes figurën e keqe të të keqinformuarit që keqinformon, ndërkohë që misioni i tyre është ta informojnë publikun duke e mbrojtur nga keqinformimi”, përfundon Rama.

 

Ky reagim i kreut të qeverisë vjen pas raportimeve mbi një draft-dokument të qeverisë shqiptare i “Politikave Prioritare” për periudhën 2024-2026, ku zbulohet se qeveria po planifikon të shpenzojë edhe 113 milionë euro për menaxhimin e mbetjeve në Elbasan dhe në Fier.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *