Subscribe

“Burg pa afat” vendosi gjykata e Korçës për 77-vjeçarin, Shefki Bylykbashi, që vrau me çekiç djalin e tij, Shyqri Bylykbashi.

 

I moshuari u shfaq në kafazin e sigurisë kokulur dhe i penduar, ndërsa dëgjohej të thoshte “Jam i mbaruar nga trutë”. Në sallën e gjyqit nuk ishte i pranishëm asnjë familjar. Ndërkohë trupi gjykues pasi u njoh me qëndrimet e palëve vendosi të mbyll në qeli 77-vjeçarin, që akuzohet për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare.

 

Sipas avokatit mbrojtës, vrasja ndodhi në kushtet e një tronditjeje të thellë psikike, pasi djali i tij, 50-vjeçari, Shyqri Bylykbashi ushtronte shpesh dhunë verbale dhe fizike ndaj të atit.

 

Viktima Shyqyri Bylykbashi njihej si përdorues i pijeve alkoolike dhe për këtë kishte filluar të trajtohej në një klinike. Ditën e ngjarjes, sqaroi avokati, i moshuari pati një debat të ashpër me të birin. Si pasojë, 50-vjeçari tentoi ta hidhte në pusin para banesës të atin, por ky i fundit u kundërpërgjigj duke e qëlluar me sende të forta në kokë, fillimisht me çekiç e më pas me dru.

 

NEVZAT TARELLI

 

AVOKAT MBROJTËS

 

Ka dyshime se mund të jemi në kushte të vrasjes për vetëmbrojtje apo të tronditjes së forta psiqike për shkak të sjelljeve të vetë viktimës, i cili ka pasur varësi nga alkooli dhe ka ushtruar dhunë permanente. Në ditën e ngjarjes viktima pretendohet se ka ushtruar dhunë dhe më pas situata ka precipituar. Ai ka reaguar duke u mbrojtur.

 

Vrasja ndodhi të premten në fshatin Zvezdë të Maliqit. Fillimisht krimi u raportua si ngjarje aksidentale nga policia. Pas hetimeve të thelluara dhe deklarimeve të 77-vjeçarit, bashkëshortja e tij si edhe familjarë të Shefki Bylykbashit, grupi i hetimit arriti në përfundimin se bëhej fjalë për një vrasje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *