Mbërrijnë 11 mijë teste të tjera në ISHP/ Manastirliu: Gjurmojmë çdo rast

Qeveria shqiptare ka financuar 11 mijë teste të tjera për COVID-19, të cilat kanë mbërritur këtë të martë në Institutin e Shëndetit Publik.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se këto teste do të ndihmojnë në rritjen e vigjilencës në një kohë kur vendi po rihapet.
“Ajo çfarë është e rëndësishme është se ky laborator do të vijojë të ofrojë të njëjtin standard dhe do të jetë edhe në vijim i furnizuar, pasi çfarë kemi bërë deri sot është që kemi qenë në një linjë me strategjinë e miratuar edhe me të gjithë rekomandimet e strukturave ndërkombëtare. Çfarë duhet tashmë nga ky moment dhe në vijim është forcimi i kapaciteteve të laboratorit të Insitutit të Shëndetit Publik për të vijuar dhe për të patur testime, për të gjurmuar dhe për të izoluar çdo rast të dyshuar.”
Duke u ndalur tek testimet serologjike, Ministrja Manastirliu deklaroi se edhe në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT janë kryer deri tani mbi 1 mijë testime tek personeli shendetesor, duke vlerësuar si të suksesshme strategjinë e Komitetit Teknik të Ekspertëve.




